Disa serbë në Graçanicë kanë protestuar në kundërshtim të arrestimit të Dragisha Milenkoviq, ndaj të cilit ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer krime lute kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ata kanë protestuar para stacionit policor në këtë komunë dhe kanë ecur deri të manastiri i Graçanicës.
Ndaj Milenkoviq, autoritetet e Kosovës kanë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, si gardian i burgut në Prishtinë ka ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike, ndaj të burgosurve shqiptarë.
“Populli ynë prej kohësh nuk ka pritshmëri ndaj tyre, as ndaj Prishtinës, neve na është e qartë se çfarë mendojnë prej kohësh dhe siç e shohim qartë këtë po e tregojnë. Çdo serb mund të jetë Dragisha Milenkoviç, njësoj, i njëjti sistem, vetëm se emrat ndryshojnë dhe e vetmja gjë është se ai është gjithmonë serb dhe ai serb që është i vendosur të qëndrojë në vatrën e tij tradicionale shekullore, kjo duket se është parakusht për këtë farsë. Ka ndjenja të përziera trishtimi dhe zemërimi për çdo gjë që po na ndodh, por ne nuk kemi frikë, të gjithë e dimë se ky është qëllimi, se kjo është poenta e kësaj loje me fatin e një njeriu dhe familjes së tij”, ka thënë drejtoresha e Qendrës Shëndetësore, Natasha Prentiq Miriq.
Para protestuesve ka folur edhe gazetari dhe shkrimtari, Zhivojin Rakoçeviq.
“Qytetarë që shpresoni në liri, pyetjen themelore që i bëmë vetes dhe të tjerëve dje është se kush është tjetri ( i radhës), si të jetosh në një shoqëri ku mendon se kush është tjetri( i radhës) për arrestim, ne kemi nevojë të jetojmë në liri, na përzunë nga qytetet në Prizrenit janë katër serbë, në Prishtinë, më pak se 15. Jemi të shtyrë nëpër geto, në të cilat sot vihet si ekspedita ndëshkuese që të arrestohen njerëz”, ka thënë Rakoçeviq.
Të mërkurën, Policia e Kosovës ka arrestuar Dragisha Milenkoviq, për krime lufte kundër popullsisë civile.
Bëhet fjalë për periudhën e luftës në Kosovë (1998-1999) kur personi në fjalë, si gardian i burgut, dyshohet të ketë ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike dhe trajtime çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë.
Arrestimi i tij është bërë të mërkurën në orët e paradites në zonën e Graçanicës.
Pas arrestimit të tij, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë.