Site icon PrishtinaPress

Protesta të dhunshme në Francë për 1 Maj

Përleshje të dhunshme janë raportuar në shumë qytete të Francës me rastin e ditës së punëtorëve. Zemërimi qytetar ishte edhe më i madh për shkak të reformës në pensione, tashmë të aprovuar, të presidentit Emmanuel Macron. Policia reagoi dhunshëm ndaj manifestuesve duke lëshuar gaz lotsjellës në qytete si Parisi, Lioni dhe Nanta.

Me dhjetëra persona janë arrestuar, po ashtu raportohet edhe për mjaft të lënduar, përfshirë dhe policë. Ministria franceze e brendshme njoftoi se në rrugë për të protestuar dolën rreth 800 mijë persona, por sindikatat folën për një numër shumë herë më të lartë, 2.3 milionë njerëz që kërkonin paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Vetëm në kryeqytetin Paris janë verifikuar mbi gjysmë milioni manifestues. Një tjetër fakt që zemëroi qytetarët ishte lejimi I policisë franceze për të përdorur dronë me kamera për të monitoruar protestat.

Grupet për të drejtat e njeriut ngritën një padi duke thënë se përdorimi i dronëve në këtë mënyrë shkel të drejtat themelore të njeriut. Ndërkohë, protesta masive për ditën e punëtorëve ka pasur edhe në shumë shtete të botës si në Turqi, Greqi dhe Portugali, me sloganin kryesor në kërkim të më shumë të drejtave dhe kushte më të mira.

Exit mobile version