Në ditën kur zhvillohet Samiti i Bashkimit Europian, opozita ka lajmëruar se do të zhvillojë protestë para Kryeministrisë. Godina është brenda perimetrit të sigurisë së samitit dhe policia ka deklaruar se nuk do të lejojë grumbullimin e njerëzve aty, por ka siguruar mbarëvajtjen e opozitës në çdo vend tjetër jashtë këtij perimetri.
Nga ana tjetër, liderët e Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë, këmbëngulin se nuk do të spostojnë vendin ku do të mbajnë protestën e tyre, të cilën thonë se e kanë kundër qeverisë Rama.
Në selinë e PD-së ndërkohë kanë nisur grumbullimet e para të protestuesve. Mbetet për t’u parë se ku do të zhvillohet protesta dhe nëse do të ketë përballje me forcat e rendit, të cilat kanë bllokuar kalimin nga ura e madhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri te Sheshi “Nënë Tereza”.
“Tirana po zien, e tëra ne shesh. Rroftë Tiranë, rroftë Shqipëria”, tha kryetari i PD, Sali Berisha, teksa mbërriti në seli.
Fillimisht protestuesit do të mblidhen tek ura para ish-hotel “Dajtit” ku edhe nis perimetri i sigurisë. Aty, drejtuesit e PD do të bashkohen me drejtuesit e Partisë së Lirisë. /a2cnn/