Qeveria e Kosovës i ka shkruar një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me propozimin e Komisionit Evropian që qytetarëve të Kosovës me pasaporta serbe të lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë t’u mundësohet lëvizja pa viza.
Në letrën të cilën e ka siguruar Telegrafi, thuhet se serbët e Kosovës janë duke marrë pasaporta të Kosovës në një numër në rritje të shpejtë këtë vit që kur Kosova fitoi të drejtën për udhëtim pa viza.
“Lëshimi i pasaportave nga Drejtoria e Koordinimit të Serbisë është i papranueshëm, forcon institucionet paralele, shkel detyrimet e vetë Serbisë ndaj BE-së dhe është kundër rekomandimeve të renditura në raportin vjetor për Serbinë”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës, drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian.
Në letër thuhet se këto pasaporta të lëshuara nga një institucion ilegal paraqesin rrezik për të dhëna të pasakta dhe shkelje të sigurisë për të cilat Kosova nuk mund të mbahet përgjegjëse.
“Këto dokumente nuk i janë nënshtruar kontrolleve të sigurisë që kanë pasaportat e Kosovës dhe as nuk kanë qenë pjesë e përmbushjes së kritereve të sigurisë për dialogun për liberalizimin e vizave të përcaktuara nga Komisioni Evropian. Përderisa Kosova nuk i njeh pasaportat e lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit, ne kemi përkushtim që të lëshojmë pasaporta me procedurë të thjeshtuar për të siguruar që asnjë serb i Kosovës që kërkon të ketë pasaportë të mos mbetet pa dokument udhëtimi. Nëse do të ketë shqetësime në lidhje me procedurën për pajisjen e të gjithë serbëve të mbetur me pasaporta të Kosovës, ne ftojmë BE-në të monitorojë këtë proces”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës.
Sipas kësaj letre, Qeveria e Kosovës thotë “jemi të përkushtuar që të sigurojmë që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës dhe i bëjmë thirrje BE-së që të mbështesë rishqyrtimin e këtij propozimi dhe t’i bashkohet fushatës sonë për të inkurajuar dhe thirrur të gjithë serbët e Kosovës që të marrin pasaportat e Kosovës”.
Ndryshe, kjo temë është bërë e madhe pasi që Komisioni Evropian ka propozuar më 16 nëntor që në procesin e liberalizimit të vizave të jenë edhe bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë që jetojnë në Kosovë.
Por, ky propozim i Komisionit Evropian ka zgjuar reagime të shumta në Kosovë, përfshirë edhe reagimin e vet shtetit.
Organizatat e shoqërisë civile shqiptare dhe ato serbe në Kosovë janë të ndara lidhur me propozimin e Komisionit Evropian. Njëra palë thotë se kjo dëmton e integrimin e serbëve të Kosovës, ndërsa OJQ-të serbe në Kosovë mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që mbajnë pasaporta serbe.
Ndërkaq, siç merr vesh Telegrafi nga ekspertë të fushës së integrimit ky propozim përveç tjerash është edhe konfuz, por Komisioni Evropian nuk po dëshiron të krijojë situatë ku një shtresë e popullatës të jetë e privuar nga e drejta për lëvizje të lirë, pavarësisht që pranimi i këtyre dokumenteve Kosovës do t’i sillte telashe.
Sipas tyre, një problem tjetër me pranimin e këtyre dokumenteve është pasiguria e madhe juridike sepse nëse një azilkërkues ose një person që ka shkelë rregullat e liberalizimit (ka qëndruar më shumë se 90 ditë ose ka punuar ilegalisht) me këtë pasaportë gjendet në BE, shtrohet pyetja se a riatdhesohet në Serbi apo në Kosovë dhe në fund kujt mund t’i faturohet shkelja, Kosovës apo Serbisë.
Pra, sipas tyre këto janë temat që pastaj mund të sjellin probleme.