Site icon PrishtinaPress

Propaganduesi i Vuçiqit: Kosova ishte një fëmijë i “lazdruar” i Perëndimit

“Vajtimet e fundit të Vjosa Osmanit konfirmojnë se “elita ekstremiste në Prishtinë” nuk është në gjendje të kuptojë se koha kur Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij lejoheshin të bënin gjithçka ka kaluar në mënyrë të pakthyeshme dhe se BE-ja nuk i shikon me dashamirësi përpjekjet e tyre për të destabilizuar rajonin”, ka pretenduar drejtori i zyrës serbe për propagandë armiqësore ndaj Kosovës, Petar Petkoviq në një kumtesë dërguar mediave.

“Indinjata e Vjosa Osmanit për kërkesat e vendosura që i janë parashtruar Prishtinës është pjesërisht e kuptueshme, sepse sponsorët e “të vetëshpallurës Kosovë” në të kaluarën kanë qenë të gatshëm të tolerojnë çdo papërgjegjshmëri të elitës politike “ekstremiste në Prishtinë”, por bota po ndryshon, e bashkë me të edhe bastet dhe rregullat e politikës në Ballkanin Perëndimor”, pretendohet në kumtesën e propaganduesit të Vuçiqit.

“Në vend që Prishtina ta kuptojë këtë dhe menjëherë të bëjë gjithçka për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për ta kthyer atë në gjendjen e mëparshme dhe pastaj për të mundësuar formimin e Asociacionit, ata po bëjnë të kundërtën, dhe tani, jo vetëm duke “kërcënuar” Serbinë, ata tashmë “po kërcënojnë” të gjithë të tjerët në rajon, të cilët po i rezistojnë “projektit të Kurtit” të Shqipërisë së Madhe”, shtohet në kumtesë.

“Në të kaluarën, Kosova ishte një fëmijë i “lazdruar” i Perëndimit, të cilit u lejua “çdo lloj tërbimi”, por ato kohëra kanë kaluar dhe është mirë që BE-ja e kuptoi se toleranca ndaj Prishtinës shkoi shumë larg dhe që mund të kishte pasoja tragjike”, përfundon propaganda më e re e Vuçiqit, e shprehur përmes shërbëtorit të tij Petar Petkoviq.

Exit mobile version