Site icon PrishtinaPress

Propaganda ruse dhe serbe rrezikon Malin e Zi

Analistët në Mal të Zi thonë se Serbia dhe Rusia po zhvillojnë një propagandë të fuqishme, duke ndërhyrë edhe në çështjet shtetërore të Podgoricës. Kjo fushatë, sipas tyre, është shtuar kohëve të fundit kur Mali i Zi po angazhohet në negociatat e zgjerimit me Bashkimin Evropian, dhe ku këto ditë është në pritje të marrjes së raportit pozitiv mbi zbatimin e standardeve të KE.

Analistët vlerësojnë se Serbia dhe Rusia, në format më të ndryshme, po zhvillojnë një propagandë të fuqishme në Mal të Zi, duke ndërhyrë edhe në çështjet më të ndjeshme politike të Podgoricës.

Kjo fushatë, sipas analistëve, është shtuar kohëve të fundit kur Mali i Zi po angazhohet në negociatat e zgjerimit me Bashkimin Evropian, dhe ku këto ditë është në pritje të marrjes së raportit pozitiv mbi zbatimin e standardeve të Këshillit të Evropës.

Analisti dhe njohësi i mirë i çështjeve politike në Malin e Zi, Haxhi Shabani i cilëson si të rrezikshme veprimet e disa qarqeve të caktuara pro-serbe, të cilat mund të shkaktojnë probleme në vend.

“Problemet në Malin e Zi janë të tilla që qarqet e caktuara pro-serbe e kanë ndikimin e tyre, që tashmë janë edhe në krye të Kuvendit të Malit të Zi. I tillë është kryetari i Kuvendit që ka një të kaluar, e cila nuk është aspak e mirë në raport me integrimet që i synon Mali i Zi”, tha zoti Shabani.

Edhe analisti i njohur dhe ish-drejtori i Komitetit Malazez të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, Velija Muriq kritikon qëndrimin e disa politikanëve pro-serb të cilët gjenden në postet më të rëndësishme në Malin e Zi.

“Kryetari i parlamentit të Malit të Zi merr pjesë nëpër takime dhe tubime nacionaliste duke përhapur propagandën serbe dhe ruse që shkon në dëm të institucioneve demokratike të vendit, ndërkohë që ai ka detyrë t’i përfaqësojë të gjitha komunitetet që jetojnë në Malin e Zi”, tha zoti Muriq.

Zoti Muriq, vuri në dukje, se këto sjellje kanë për qëllim të ndryshojnë qasjen e Malit të Zi në rrugëtimin e tij demokratik dhe në integrimet evropiane.

Edhe analisti Haxhi Shabani e sheh të rrezikshme veprimtarinë e nacionalizmit serb, e cila ka për qëllim ngadalësimin e integrimit evropian të Malit të Zi.

“Ndikimet e qarqeve të caktuara që janë të asaj që quhet “bota serbe” në Malin e Zi do të vazhdojë në një farë mënyre ta rrezikojnë deri në një masë këtë rrugë të integrimit. Megjithatë mendoj se qeveria aktuale, e cila udhëhiqet realisht nga njerëz që janë të lidhur më shumë me ekonomi dhe me integrime do të punojë deri në atë shkallë që të mos rrezikohet kjo rrugë dhe mundësisht të ndërpritet”, tha analisti Shabani.

Analistët theksojnë se Serbia dhe Rusia në Mal të Zi kanë krijuar një narrativë të veçantë të propagandës me qëllim që këtë vend të vogël në Adriatik ta shndërrojnë në zonën e ndikimit dhe të koordinimit të përbashkët mes tyre./VOA

Exit mobile version