Prodhuesit vendor kërkojnë përkrahje institucionale në të bërit biznes, ngase sektori privat po konsiderohet i një rëndësie të veçantë për punësim dhe zhvillim ekonomik.
Prodhuesi ‘Frutomania’ shquhet për produkte natyrale dhe vendore, ku përbërja e lëngjeve janë vetëm frutat e freskëta të mbledhura me dorë, pa sheqer, pa aditiv dhe pa ujë. Kjo kompani pritet që sivjet të hap edhe një fabrikë të re edhe në Shqipëri me këtë lloj produktesh.
Mirëpo, për pronarin e kompanisë “Frutomania (Moea)”, Armend Malazogu, nuk është aspak e lehtë të bëhet biznes në Kosovë.
Ai thotë se ka telashe deri në finalizimin e produktit.
Malazogu deklaron se implementimi i legjislacionit në fuqi, nuk është i dëshirueshëm.
“Ka shumë mungesa, megjithëse të gjithë ankohen se nuk ka përkrahje institucionale, mendoj se që legjislacioni në fuqi është i mjaftueshëm, por len për të dëshiruar për implementimin e saj. Në anën tjetër derisa ne jemi prodhues duhet me qenë edhe prodhues të tjerë që e komplimentojnë një produkt. Ne mundemi me prodhuar lëngje, por në anën tjetër nuk ka prodhues të shisheve, të tiketave, të kapakëve. Kështu që ndalngadal, duke u zhvillua bizneset, bashkërisht shkon drejt një biznesi”, thotë Malazogu.
Sa e ka përkrahje nga institucionet e Kosovës, Malazogu thotë në një intervistë për KosovaPress se ka përkrahje, por që nuk është mjaftueshme.
Institucionet e Kosovës, sipas tij, duhet të jenë të fokusura për ekonomi, sepse aktualisht janë të orientuara drejt problemeve dhe sfidave politike.
Për sa i përket vendimit qeveritar për taksën 100 përqind ndaj Serbisë, Malazogu thotë se asnjëherë nuk kanë qenë të varur nga importi i lëndës së parë, ngaqë ajo prodhohet në fshatin Kravaricë të Gjilanit dhe blihen frutat vendore prej fermerëve të Kosovës.
Ndonëse pohon se në Serbi nuk kanë arritur të eksportojnë për shkak të problematikave të cilat janë shfaqur vite më parë, për çështjen transitore nuk kanë probleme të tilla.
“Me futjen e taksës, ne ashtu kështu nuk e kemi pasur atë problem, por në fakt na ka ndihmuar ndaj atyre prodhuesve të cilët kanë përdorur baza ose fruta prej Serbisë, të cilëve iu ka sjell telashe në konkurrencën jolojale… Ne jemi njëra prej kompanive që kemi filluar me eksportuar në Serbi, por kemi pasur telashet tona, të cilat nuk kanë qenë në aspektin e taksës. Ata (Autoritetet e Serbisë) nuk na i kanë njohur certifikatat e fito sanitare, deklaratat doganore. Kështu që edhe ne është dashur me iu përgjigj në mënyrë të njëjtë. Unë mendoj se bizneset kosovare duhet me u zhvillua dhe me o forcua sa I përket cilësisë dhe vet qëndrueshmërisë. Me prodhua lëndën e parë, me përdorë lëndën e parë. Nëse kemi vetëm paketues në Kosovë, nuk sjellë zhvillim ekonomik”, deklaron Malazogu.
Duke treguar për qasjen në tregjet e huaja, Malazogu pohon se janë duke eksportuar në rreth gjashtë vende të Bashkimit Evropian si dhe në lindjen e mesme.
Frutomania është kompani që si veprimtari primare ka kultivimin e frutave dhe prodhimin e lëngjeve 100 përqind natyrale.
Në listën e gjerë të produkteve të Frutomania janë 11 lloje të lëngjeve. Katër lloje të likerit si dhe xhem në 6 shije.
Në, Frutomania që gjendet në Kravaricë të Gjilanit janë të punësuar 100 punëtorë të rregullt, dhe 300 punëtorë sezonal./kp