1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Promovohet libri “E drejta penale ndërkombëtare” i Ismet Salihut, trajton Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale paraqet një re të zezë për Kosovën. Ajo mund të mënjanohet vetëm pas përfundimit gjykimit të krimeve të pretenduara, shumica prej të cilëve u atribuohen pjesëtarëve të UÇK-së, në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare.
Këtë konstatim, e ka nxjerr profesori i të drejtës penale ndërkombëtare, Ismet Salihu, me rastin e promovimit të librit “E drejta penale ndërkombëtare – Me komentarin e shkurtër të Ligjit për Gjykatën Speciale”, të enjten në UBT.
Në promovim kanë marrë pjesë personalitete të shquara të fushës juridike, profesorë, studentë etj. Salihu, pos të tjerash, ka thënë se puna e Gjykatës Speciale do të jetë një proces i rëndë, por i domosdoshëm.
Sipas autorit Salihu, Gjykata Speciale do t’i gjykojë krimet e pretenduara nga Raporti i Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, që në opinionin e Kosovës është i njohur se Raporti i senatorit Dick Marti.
Pasi ka përshkruar ecurinë e përgjithshme të themelimit të Gjykatës Speciale dhe për dyshimet e shprehura në Kosovë, sidomos nga partitë opozitare, Salihu është shfaqur i bindur se Gjykata Speciale asnjeri nuk do ta dënojë pa prova.
“Përgjegjësia e kësaj gjykate do të jetë e madhe, mirëpo askush nuk do të dënohet pa prova e fakte”, tha Salihu. Profesori i të drejtës penale, Salihu, ka përmendur faktin se pas luftës së Kosovës janë vrarë qindra veta.
“Në mes periudhës së viteve 1998-2000 janë ekzekutuar dhe zhdukur 470 persona, prej të cilëve, 95 janë shqiptarë, kurse të tjerët janë të pakicave të tjera, kryesisht serbë”, është shprehur ai, duke dhënë të kuptohet se dikush i ka bërë ato krime.
Për rëndësinë e librit ka folur edhe rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi.
“Libri shënon një hap tutje drejt marrjes së njohurive në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare, është vlerë e shtuar akademike, si për studentët, ashtu edhe për profesorët, të cilët janë ligjërues të lëndës përkatëse”, përfundoi Hajrizi, duke falënderuar profesor Salihun për kontributin e tij në fushën e drejtësisë.
Referuesi i librit, Lavdim Krasniqi, ndërkaq, ka folur për biografinë dhe krijimtarinë e autorit të librit, të cilën e ka cilësuar si shumë të bujshme.
“Libri është i vlefshëm, jo vetëm për autorin, por për të gjithë njohësit e fushës”, theksoi ai, për të shtuar se libri përmbledh refleksione të jashtëzakonshme profesionale.
Profesori Skender Skenderi, po ashtu, e çmoi lart kontributin e autorit Salihu, derisa evokoi kontributin e tij dhe të profesorëve të tjerë të çështjeve juridike, të dhënë me rastin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 2 korrik 1990 si dhe për Kushtetutën e Kosovës, e miratuar në të njëjtin vit, më 7 shtator në Kaçanik.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img