Site icon PrishtinaPress

Prokurorisë i kërkohet të hetojë mjekët dhe avokatin në rastin Dehari

Ministria e Drejtësisë po kërkon që mjekët Besim Ymaj, Besim Latifaj dhe avokati Tomë Gashi të hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dhurata Hoxha, që drejton këtë ministri, në shkresën që ia ka dorëzuar Kryeprokurorit, shkruan se mjekët e caktuar nga familja Dehari në rastin e obduksionit të Astrit Deharit dhe avokati i familjes, keqpërdorën pozitën zyrtare kur publikuan raportin që tha se Astrit Dehari kishte vdekur nga asfiksia e dhunshme, raporton KTV.

“Publikimi i raporteve nga persona jokompetentë që i referohen humbjes së jetës së Astrit Deharit dhe të tillë që dalin përtej autorizimeve ligjore, sipas pikëpamjes sonë, konsiderojmë se bien ndesh me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe për më tepër, janë në kundërshtim me dispozitat e caktuara të Kodit Penal që i referohen detyrës zyrtare, përkatësisht keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke hartuar dhe më pas edhe publikuar raporte të tilla, e duke mos qenë të autorizuar paraprakisht për një gjë të tillë”, thuhet në shkresën e Ministres Hoxha.

Ky është një nga rastet e rralla dhe të vetme që një ministri kërkon hetim për persona të veçantë.

Më herët, MD-ja ka thënë se ky nuk është kallëzim penal. Duke folur në emër të familjes Dehari, avokati Tomë Gashi ka thënë se ata së shpejti do të bëjnë publike se nga cili institucion ndërkombëtar do të kërkojnë hetim të pavarur.

Exit mobile version