11.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Prokurorisë i kërkohet që ta dorëzojë dosjen paraprake

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se për shkak që Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte thënë se deri në mes të tetorit do të kishte gati dosjen e procedurës paraprake, por nga ky institucion ende nuk kanë treguar nëse ajo do të jetë e gatshme deri atëherë, ai do të vendosë një datë për dorëzimin e kësaj dosjeje.


“Nuk mund të presim më”, tha Guillou, teksa tha se po i afrohen njëvjetorit të fillimit të çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në Dhomën e Specializuar në Hagë, më 14 shtator po mbahet konferenca e shtatë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjykatësi Guillou tha se datën e dorëzimit të dosjes paraprake do ta caktojë më së largu deri në konferencën e ardhshme statusore.

Dosja paraprake përmban për çdo akuzë një përmbledhje të provave, të cilat Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës penale të pretenduar.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson kërkoi që gjykatësi të urdhëroi ZPS-në të dorëzojë këtë dosje më së largu deri më 31 tetor, pasi ai kujtoi se ZPS-ja kishte premtuar se do ta bënte një gjë të tillë deri në mesin e tetorit.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se është e gatshme që deri më 22 tetor, t’i ofrojë mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky fakt u mirëprit nga pala mbrojtëse, e cila edhe në konferencat e mëparshme kishte kërkuar një gjë të tillë. Megjithatë, prokuroria tha se kjo listë mund të ndryshojë dhe shtoi se mëton që të përdorë dëshmi të dëshmitarëve për të mbështetur aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se është shqetësuese që prokuroria ende po vazhdon hetimet dhe nuk po tregon se kur do t’i mbarojë ato. Ai tha se një gjë e tillë vështirëson hetimet e mbrojtjes.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se për disa dëshmitarë ndërkombëtarë, të cilët janë miratuar, është kërkuar që të merren masa mbrojtëse.

Zyra e Prokurorit tha se që nga konferenca e fundit statusore ka nxjerr 24 pako me materiale. Dy dëshmitarë ndërkombëtarë janë miratuar dhe janë të njohur. Ndërkaq, për tre dëshmitarë të tjerë ndërkombëtarë po vazhdon procesi i miratimit.

Po ashtu, janë edhe pesë dëshmitarë, për të cilët janë bërë gati dokumentet.

Prokuroria, ka afat që të nxjerrë materialet deri më 27 shtator. Ndërkaq, po ashtu është kërkuar shtyrja e afatit për përkthimin e afateve.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se ZPS-së do t’i duhen muaj për të nxjerrë përkthimet e materialeve. Ai tha se në korrik, ishte po ky institucion që kishte thënë se do të nxirrte me kohë të gjitha materialet, por mbrojtja deri më tani ka marrë vetëm 75 për qind të materialeve.

Ai po ashtu tha se mbrojtja po përballet me sjellje joprofesionale të Prokurorisë, pasi ZPS-ja tha se nuk e di saktësisht numrin e materialeve që do të nxjerrë.

“Kemi të bëjmë me prokurori pa kredibilitet në aspektin e parashikimeve për zhvillimin e gjykimit”, tha Emmerson.

Mbrojtja kërkoi të dijë nga prokuroria nëse ka lexuar 68 mijë faqe materiale dhe nëse i ka lexuar ato.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, kërkoi që Prokuroria e Specializuar të ofrojë më shumë materiale shfajësuese për klientin e tij. Ai argumentoi se për dëshmitarët ndërkombëtarë, në dokumentet për ta, të ofruara nga ZPS-ja, nuk kanë të bashkëngjitur telegrame diplomatike.

Prokuroria e pranoi se nuk pritet që të ketë shumë materiale të reja shfajësuese dhe pranoi se disa materiale që ZPS-ja ka përdorur për dëshmitarët e saj, mund të përdoren nga mbrojtja si material shfajësues. ZPS-ja tha se ende nuk ka shqyrtuar të gjitha materialet që potencialisht mund të jenë shfajësuese për të akuzuarit.

Ish-krerët e UÇK-së nuk janë të pranishëm fizikisht në këtë seancë, por të njëjtën po e ndjekin përmes video-lidhjes.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img