Një rast i rëndë ka ndodhur para tri ditësh në Malishevë ku një grua 35 vjeçare ka ndërruar jetë pasi që është paraqitur për ta hequr një dhëmb në një klinikë private në Malishevë. Për pasojë janë arrestuar dy persona për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për njërin nga të dyshuarit, Xh.K. të përfshirë në rastin në Malishevë, ndërsa të dyshuarës tjetër, H.K., e motra e Xh.K., është caktuar arrest shtëpiak, po ashtu për një muaj, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, Xh.K. në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve shëndetësore ka përdorur metoda të papërshtatshme të mjekimit ndaj të ndjerës L.SH.
“Sipas kërkesës i pandehuri Xh. K., “ Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësorë përdorë metoda të papërshtatshme të mjekimit ndaj tani të ndjerës L. Sh. nga fshati N., Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që pasi që e njëjta shkon në ordinancën e cekur më lartë për ta hequr një dhëmbë, këtu i pandehuri përdorë medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dal pacientja – e ndjera në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja- humb vetëdija, me të shpejtë dërgohet në QKMF-Malishevë, e ku me pas e njëjta ka ndërruar jetë si shkak i metodave dhe terapisë së përdorur nga ana e të pandehurit”.
Ndër të tjera, Gjykata Themelore e Gjakovës ka thënë se Xh.K. ka punuar pa autorizim ligjor dhe ka ofruar shërbime stomatologjike në ordinancë gjinekologjike.
“Po ashtu pa autorizim ligjor kryen trajtime mjekësore- stomatologjike, në atë mënyrë që i pandehuri si stomatolog ushtron veprimtarinë mjekësore në ordinancën gjinekologjike, pa autorizim ligjor për zhvillimin e veprimtarisë stomatologjike e ku si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme mjekësore të marruara nga ana e të pandehurit, pas trajtimit mjekësor të dhënë viktimës, e njëjta ndërron jetë, në vendin dhe mënyrën e cekur si më lartë”.
Gjykata Themelore e Gjakovës, ka njoftuar se ka marr masa po ashtu ndaj motrës së të pandehurit Xh.K. duke e dërguar në arrest shtëpiak për një muaj pasiqë e njëjta punonte në këtë ordinancë ilegale dhe pa kualifikim mjekësor. Sipas Gjykatës, ajo me profesion është rrobaqepëse.
“Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” Në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillore, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës- i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh”.