Site icon PrishtinaPress

Prokuroria zbardhë detaje për keqpërdorimin e 35 mijë eurove në Kamenicë

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit kundër katër personave, Pëllumb Jahiri, Florim Demolli dhe Ismail Zubaku të cilët  si anëtarë të Komisionit Vlerësues si dhe për biznesmenin Avdi Koca.

Katër të dyshuarit me urdhër të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, “me 20 Tetor 2020, i pandehuri A.K., me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Furnizim me dollap për shkolla’’ në komunën e Kamenicës, në atë mënyrë që nuk ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata me përfitim për vete, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës së Kamenicës në shumë prej 35.731.50 €”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Ndërsa, të pandehurit P.J., I.Z. dhe F.D., më 13 Nëntor 2020, kanë keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat  e tyre, ashtu që nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që pa u siguruar lidhur me sigurimin  dhe pranimin  e mallit kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit në tenderin e lartshënuar, ku pa e pranuar mallin në kundërshtim me ligjin i kanë transferuar mjetet prej 35.731.50 € operatorit ekonomik ARF SHPK – Fushë Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

Në këtë mënyrë, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ të KPRK-së.

Exit mobile version