Është ndaluar për 48 orë gjinekologu Arsim Gashi pasi ka sulmuar fizikisht profesoreshën e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi- Popovci, shkruan Insajderi.
Nga Prokuroria Themelore bëjnë të ditur për Insajderin se Arsim Gashi dyshohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar.
“Referuar pyetjeve tuaja, aktualisht mund t’ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personi për të cilin keni parashtruar pyetje, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.
Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, është sulmuar fizikisht dje në vendin e saj të punës, nga prindi i një studenti, i cili është po ashtu mjek me profesion.
Sipas asaj që ka njoftuar Pupovci, ajo është sulmuar fizikisht nga Dr. Arsim Gashi, gjinekolog, i cili është ndarë i pakënaqur me notën që e ka vlerësuar ajo djalin e tij student.
Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje, shkruan IndeksOnline.“Prishtinë 10.05.2022 – 16:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka shkuat në zyrën e viktimës femër kosovare (profesoreshë në fakultet) dhe e sulmuar fizikisht viktimën. Arsyeja e sulmit ndërlidhet me vlerësimin e “pa drejtë” në provim, që ka bërë viktima ndaj djalit të dyshuarit. Viktimës iu është ofruar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.