Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka rënë nën llupën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimin për kurdisje të tenderit “Themelimi i Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”, nga i cili doli fitues konzerciumi “Anarch” dhe “Ardi Ç”, që është në pronësi të mikut të Ramës, Astrit Nixhës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e këtij institucioni, Liridona Kozmaqi, e cila ka deklaruar se në këtë fazë nuk mund të ofrojnë informacione tjera.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se gjendet në trajtim në Prokurorinë Speciale. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund të japim informacione tjera”, thuhet në përgjigjen e saj.
Hetimet e Speciales filluan pasi që më 4 qershor pas raportimeve për shkelje e parregullsi të cilat e shoqëruan gjithë procesin e prokurimit, nga i cili doli fituese kompania e mikut të Ramës.
Sipas Kiks Kosova, Nixha arriti të shpërblehet me tenderin 12 milionësh me dhjetëra dallavere në dokumentet me të cilat aplikoi, e si Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Rama, e kurdisi tenderin për ta fituar Nixha.
Pavarësisht publikimit të fakteve, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), që njihet edhe si Gjykata e Tenderëve, nuk ka reaguar ende.