Site icon PrishtinaPress

Prokuroria Speciale fton për intervistim edhe këshilltarin e ministrit Vitia

Prokuroria Speciale ka ftuar për intervistim Egzon Azemin, këshilltarin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje është ftuar nga Prokuroria të merret në pyetje, për siç ka thënë ai “kinse për reagimin tim në rastin e lirimit të kriminelit serb Dejan Pantiq”.

Në një njoftim në Facebook, Azemi e cilësoi selektive drejtësinë në Kosovë.

“Nga një postim i imi demek qenka ndjerë i kërcënuar ndonjë prokuror apo gjyqtar. Dhe pse s’kishe lidhje më të. Unë nuk kërcënoj. As nuk nxis. Unë vetëm kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj drejtësi. Të plotë. Jo selektive. Dhe njësoj do vazhdoj. Kjo Prokurori që është e kapur thuajse fund e krye, saherë shkruaj diçka rreth tyre e gjejnë një vegzë e ngrisin një rast. Herë për protestat e 2015-16 e këtë herë për një reagim në Facebook. Po, nesër do të shkoj veç të ju them që ne as nuk kërcënojmë e as nuk frikësohemi. Do qëndrojmë drejtë e pa e thyer kurrizin as përballë kriminelëve serbë, as para mafisë milardere e as para prokurorëve të kapur”, ka shkruar Azemi.

Të enjten, edhe Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka njoftuar se është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale lidhur me një koment të tij pas lirimit nga paraburgimi të Dejan Pantiqit, ish-zyrtarit policor serb të Kosovës, i cili dyshohet për sulm ndaj institucioneve të vendit.

Exit mobile version