Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, të hënën raportoi se ka pranuar një kërcënim me vrasje përmes postës elektronike nga një person me emrin “Trim Bardhi”.
Rastin, agjencia e ka paraqitur te organet e rendit në Serbi, ndërsa sot, Prokuroria Speciale për Krimet e Teknologjisë së Lartë (VTK) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë (AGS), thanë se emaili është dërguar nga Kosova.
“Në të njëjtën ditë pas njoftimit të ngjarjes, Shërbimit për Luftimin e Krimit të Teknologjisë së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë i është dërguar kërkesë për mbledhjen e informatave të nevojshme. Është konstatuar se IP adresa e autorit i përket gamës që përdorin ofruesit e shërbimeve të internetit në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e UNS-së për “Danas”.
Kjo gazetë serbë thotë se UNS në deklaratën e saj thekson po ashtu se përmes Ministrisë së Drejtësisë është iniciuar një procedurë e ndihmës së ndërsjellë juridike, në të cilën kërkohet nga EULEX-i që të identifikojë përdoruesin, përkatësisht autorin e mundshëm të krimit.
“Pas marrjes së informacionit do të merret vendim për veprime të mëtejshme”, tha Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë.
“Tanjug” të hënën tha se kishte pranuar një email kërcënues nga një përdorues me emrin “Trim Bardhi”.
Aty, sipas kësaj agjencie, kërcënoheshin me vrasje gazetarët e saj nëse shkelin në Kosovë.
“Po e shohim kohës së fundit se makineria juaj propaganduese, shoviniste e luftënxitëse e quajtur ‘Tanjug’ është bërë vazhdimisht e më agresive, duke përdorur emrin shovinist ‘AP KiM’ për Republikën e Kosovës, në shërbim të diktatorit dhe luftënxitësit Alleksandar Vuçiq. Vetëm ta dini se po i ndjekim gënjeshtrat që ju shpërndani çdo ditë për shtetin e Kosovës dhe për shqiptarët, sikurse që po i ndjekim lëvizjet e të gjithë gazetarëve të pseudo-agjencisë suaj të lajmeve në Kosovë. Të jini të sigurt se dikush prej tyre do të marrë një plumb në kokë herën tjetër që shkelin në tokën e Republikës së Kosovës. Po monitorojmë gjithçka”, citonte Tanjug të jetë thënë në email.