9.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Prokuroria po i heton kontratat për Spitalin COVID-19

Janë mbushur 5 vjet që kur në oborrin e qendrës më të madhe spitalore në vend u vu guri i themelit të qendrës emergjente.

Një histori abuzimesh dhe korrupsioni fshihet prapa mureve, të cilat kanë mbetur të braktisura tash e sa vite.

Mbi 8 milionë euro ishin paraparë të investoheshin në këtë objekt për të garantuar që në vend të ketë një shërbim cilësor për pacientët mirëpo projekti u la në gjysmë pasi kompania e cila fitoi tenderin u tërhoq nga projekti.

Të dhënat tregojnë që dosja për kontratën mbi 8 milionë euro është në gjykatë ndërsa pacientët ende nuk arrijnë të marrin shërbimet në këtë klinikë.

Në kohën kur Qeverinë e Kosovës e drejtonte Avdullah Hoti kriza e pandemisë solli idenë që këto mure mund të shndërroheshin në një spital modern për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Në publik u proklamua se do investoheshim rreth 20 milionë euro për të mundësuar që pacientët e prekur të merrnin trajtimin e duhur.

Por, edhe kjo nuk pritet të ndodhë.

Afërsisht 200 mijë euro u ndanë në mandatin e ministrit Armend Zemaj për të hartuar planin me të cilin kjo klinikë do shndërrohej në klinikë të COVID-19.

Plani është hartuar mirëpo i njëjti nuk u implementua për shkak se Qeveria e re vendosi që të mos vazhdojë më idenë që klinika të kthehet në klinikë COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë pretendon se kontratat u nënshkruan pa zotim buxhetor që sipas tyre është shkelje e ligjit dhe për këtë arsye dosjet janë dërguar në prokurori.

Këta të fundit pranojnë se dosjet janë duke u hetuar por pa dhënë detaje.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, lidhur me këtë çështje ju njoftojmë se është duke u zhvilluar procedurë hetimore. Meqenëse rasti ndodhet në këtë fazë, nuk mund të japim detaje të tjera”, ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Këto kontrata janë nënshkruar në kohën kur kjo Ministri udhëhiqej nga Armend Zemaj.

Zemaj, i kontaktuar disa herë nga Kallxo.com nuk ka pranuar të deklarohet për këtë çështje duke thënë se “është administrative”.

Të dhënat gjithashtu tregojnë që  dy kontratat ishin nënshkruar pa planifikim të buxhetit. Pra, Ministria ka nënshkruar kontrata ne kohën kur nuk pasur asnjë cent të dedikuar për këtë gjë.

“Lënda për të cilën keni pyetur dhe shfaqur interesim për intervistë është në fazë të hetimit nga Prokuroria. Për rastin e cekur Sekretari i Përgjithshëm (ZKA) në emër te Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kallëzim penal tek organet kompetente, për shkak të dëmit material qe ky aktivitet i ka shkaktuar Organizatës buxhetore (MSh)!. Sa i përket intervistës, përderisa nuk ka ndonjë vendim nga organet kompetente, Ministria e Shëndetësisë nuk ka se çfarë të deklarojë për këtë çështje, pasi nuk duam në asnjë formë të ndërhyjmë në punën e institucioneve siç është Prokuroria e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Kallxo.com.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, projekti është menduar të financohet nga fondet e ndara për menaxhimin e COVID-19 nga Qeveria e vendit për vitin 2020 për shkak të fluksit të pacientëve me COVID-19 në atë periudhë (korrik -gusht 2020).

“Duke marrë parasysh se situata epidemiologjike rreth COVID-19 është më e qetë, ky projekt nuk pritet të vazhdojë si projekt në funksion të COVID-19, ndërsa për përfundimin e tij sipas destinacionit fillestar (Klinikë e re emergjente), së pari duhet siguruar buxheti”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Tenderi për projektimin dhe mbikëqyrjen e punimeve për spitalin COVID-19 në QKUK ka pasur vlerën 380 mijë euro për të dyja lotet ndërsa MSh ka paguar 189 mijë euro për projektimin, që është dorëzuar në MSh nga kompania që e ka kryer projektimin.

Afrim Demiri, drejtor ekzekutiv  i kompanisë AlbArchitect tregon se kanë tashmë marrë të hollat për projektimin, ndërsa ende po presin që Qeveria të përmbushë obligimet në lidhje me kontratën e dytë të nënshkruar.

“Deri më sot nuk e kemi marrë asnjë hap sepse jemi në pritje dhe gjendja nga COVID-19 nuk e ka prolonguar vetëm këtë projekt. Kemi edhe shumë projekte të tjera me Qeverinë e Kosovës. Jemi në pritje të ekzekutimit të kontratës. Në rast se nuk fillon ekzekutimi atëherë para se të fillojmë me procedurat gjyqësore ekziston një pikë e kontratës që thotë se mund ta zgjidhim me marrëveshje”, ka deklaruar Demiri.

Tutje Demiri ka deklaruar se ky anulim i tenderit ka shkaktuar humbje në buxhetin e kompanisë për shkak se ka qenë punë e planifikuar.

“Na ka shkaktuar humbje sepse në qarkullimin tonë mungojnë ato para. Ne kemi staf inxhinierësh që janë 40 persona. Ne kemi projekte edhe ndërkombëtare dhe e kemi falë një pjesë për shkak se pandemia ka shty projekte dhe jo vetëm neve si kompani. Ne jemi në pritje. Kjo është shty për shkak të buxhetit, ashtu siç ju ka thënë edhe Ministria e Shëndetësisë dhe ne nuk kemi ndonjë informatë për ndonjë procedurë më tutje”, ka shtuar ai.

Në lidhje me projektin për adaptimin e Klinikës Emergjente në Spital COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka anuluar edhe tenderin në vlerë prej 18.6 milionë euro me të njëjtën arsye se ka mungesë të planifikimit buxhetor.

Për këto projekte, Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë asnjë cent në buxhetin 2022. Të dhënat tregojnë që deri në një vendim tjetër muret e klinikës emergjente do mbesin vetëm mure ku pacientët nuk mund të kurohen.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img