14.8 C
Pristina
Monday, September 16, 2024

Buy now

spot_img

Prokuroria për zjarrin në IML: Kemi lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendngjarje

Mëngjesin e së martës, ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë është përfshirë nga zjarri. Si pasojë, një zyre në katin e sipërm të objektit është djegur. Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se prokurori i shtetit ka lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendin e ngjarjes.

Për zjarrin në IML, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka deklaruar se prokurori i shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore që të sqarohen shkaqet.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se janë lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes. Ajo ka shtuar se në rast se paraqiten elemente të veprës penale do të ndërmerren veprimet e mëtejshme.

Ulaj tha se prokuroria në koordinim me Policinë, IML’në dhe institucionet tjera relevante janë duke vazhduar veprimet hetimore për të sqaruar rastin.

“Me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, tha Ulaj për Express.

Lidhur me rastin Ministria e Drejtësisë ka dalë me një reagim, ku thuhet se në vend të ngjarjes ka qëndruar zëvendësministri Blerim Sallahu.

“Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyrat e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrfikësve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar”, tha Ministria në njoftim.

Për zjarrin në IML kanë reaguar nga partitë opozitare.

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se është hera e dytë që ky objekt po dëmtohet nga “zjarre të dyshimta”, derisa ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse për dëmet që janë shkaktuar aty.

“Për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta. Pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit të marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyrat kryesore të këtij Instituti. Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti!”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së pyet se si niveli i sigurisë në këtë institucion është i ulët pasi humbën mostrat e të ndjerit Astrit Dehari.

“Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta?”.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se “pushteti që vjen nga flaka veç flakë prodhon”.

Ai ka përmendur edhe një rast tjetër, ku zjarri kishte përfshirë Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku për pasojë ka vdekur një person.

“Pushteti që vjen nga flaka veç flakë prodhon. Në opozitë i kallnin institucionet, ndaj dhe në pushtet po u kallen institucionet. Sot, zjarri ka kapluar ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Mos të harrojmë se para pak kohësh zjarri përfshiu edhe Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku për pasojë pati edhe një viktimë”, ka shkruar Gashi.

Reagim ka pasur edhe nga ish-deputeti i Vetëvendosjes, tashmë i pavarur, Haki Abazi. Ai hedhur akuza se objekti i IML-së është djegur nga vet pushteti pas marrjes në pyetje të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Njëherë e vjedhën e tani e dogjën”, ka shkruar Abazi në Facebook duke aluduar në ish-partinë e tij. /GazetaExpress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img