4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Prokuroria për vrasjen në Malishevë: Viktima dhe dorasi kishin mosmarrëveshje për punë

Një person është vrarë me armë zjarri në orët e mëngjesit të së mërkurës në fshatin Banjë të Malishevës. Nga Prokuroria Themelore në Gjakovë kanë thënë për Telegrafin se viktima dhe dorasi kanë pasur një mosmarrëveshje që lidhej me punën.

Hekuran Batusha, bashkëpunëtor profesional në këtë institucion ka thënë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Nga hetimet e para dyshohet se viktima dhe dorasi kanë pasur një mosmarrëveshje që lidhej me punën. I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij prokuroria brenda afatit ligjor do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Batusha.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka konfirmuar se rreth orës 07:15 një person i moshës madhore është gjetur pa shenja jete në Banjë, dhe i njëjti dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.

“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Lidhur me rastin, ai ka bërë të ditur se një person është dorëzuar në polici dhe nga hetimet e para, dyshohet se i njëjti ka qëlluar viktimën me armë zjarri.

“Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka thënë tutje Elezaj.

Ai ka shtuar se njësitet e nevojshme policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img