Site icon PrishtinaPress

Prokuroria nis hetimet pas deklaratës së Thaçit se Kurti, Abazi dhe Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në PTK

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet pas deklaratës së mbrëmshme të presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në PTK dhe se aty kanë ndalur kamerat për tri ditë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, konfirmoi për Telegrafin se tashmë kanë filluar me grumbullimin e informatave.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, tha ai.

Ndryshe, Thaçi mbrëmë ka thënë se Kurti, Abazi dhe Sfeçla duhet të përballen me drejtësinë, pasi që nuk kanë të drejtë të hyjnë në dhomën e përgjimeve.

“Pse ky grup ka shkuar në dhomën e përgjimeve dhe kanë ndalë kamerat për tri ditë. Çka kërkon kryeministri në dhomën e përgjimeve? Kjo është vepër penale. Ata duhet të përballen me drejtësinë, pasi kanë bërë vepra shumë të këqija. Kanë ndalur kamerat duke bërë shkelje penale. Nuk ka dyshim këtu”, kishte deklaruar Thaçi.

Exit mobile version