Site icon PrishtinaPress

Prokuroria ngritë aktakuzë për rastin në Gllogjan, flet avokati i të dyshuarit Kreshnik Mehmetaj

Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Sahide Gashi, ka njoftuar se është ngritur aktakuzë për tragjedinë e Gllogjanit, nga ku mbeten të vrarë tre persona.

Aktakuza është ngritur ndaj Kastriot Mehmetajt dhe Kreshnik Mehmetajt.

“Ju njoftoj se pas hetimeve, Prokuroria sot me datë 5 maj ka ngritur aktakuzë kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryer së vrasjes së rëndë”, ka deklaruar Gashi.

Ndërsa, ndaj Halil Mehmetajt, Gashi ka thënë se është ngritur aktakuzë për veprën penale “shtytje në vrasje të rëndë”.

Derisa për Malsor Mehmetajt kanë pushuar hetimet, meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.

Avokati i këtij të fundit, Taulant Broqi, tha për Indeksonline se klienti i tij do të kërkojë kompensim për kohën që ndëjti në masën e paraburgimit, kur cilësohej si i dyshuar.

Në anën tjetër, lidhur me deklarimin e sotëm të Prokurorisë Themelore të Pejës ka folur edhe avokati i njërit prej të dyshuarve për rastin, Sylë Lokaj.

Lokaj ka thënë për Indeksonline se njoftimin që bëri sot Prokuroria, nuk e ka pritur fare.

“Jam shumë i befasum me këtë. Provat që janë nxjerrë në praninë time, që janë marrë në Prokurori, asnjë as më e vogla prej tyre, nuk e implikon klientin tim në këtë vepër penale. Ne nuk disponojmë asnjë provë materiale apo formale që prokurori ka marrë sikur pretendon ekspertiza, që pretendon se i ka procedu 37 dëshmitarë e ne i kemi procedu vetëm 7 prej tyre. Kështu që po presim derisa ta marrim akuzën dhe provat që ka Prokurori i Shtetit” tha Lokaj.

Sipas tij, klienti i tij që dyshohet për kryerjen e këtij krimi, Kreshnik Mehmetaj, është i pafajshëm plotësisht.

“Absurdi më i madh është që Kreshnik Mehmetaj, sipas Prokurorit të Shtetit, akuzohet si bashkëkryes me Kastriot Mehmetaj, e të gjitha provat që ka marrë Prokurori i Shtetit, jam kanë edhe unë prezent, flitet për një person të vërejtur në vend të ngjarjes e jo dy. Si e kanë futë atë [personin e dytë], unë nuk e di” shtoi Lokaj.

“Ne i kemi paraqit provat tona, i kemi paraqit të Prokurori i Shtetit, jo një herë por tri herë, për me i marrë provat me vërtetu pafajësinë e tyre. As nuk e ka refuzu propozimin e as s’i ka thirrë dëshmitarët. Ka ngritë një akuzë pa përfundu hetimi.”

Lokaj thotë se po presin, në bazë të afatit ligjor, që pas 15 ditësh nga ngritja e akuzës, të nisë procesi gjyqësor.

“Po presim. Duhet mu dorëzu akuza, provat, dhe me u caktu seanca brenda 15 ditëve. Tash a e respekton Gjykata këtë, apo nuk e respekton, nuk është në dorën tonë” deklaroi Lokaj për Indeksonline.

Ai pohoi se klienti i tij, Kreshnik Mehmetaj, vazhdon të mbetet në paraburgim që nga arrestimi i tij në dhjetor të vitit 2021.

Si ndodhi rasti në Gllogjan?

Mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, pak para orës 19:00 u krye vrasje e trefishtë. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov.

U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

Motiv i vrasjes dyshohet të jetë vetëvrasja e Heroina Mehmetajt, teksa të dyshuar për rastin e Gllogjanit janë pikërisht babai dhe vëllezërit e Mehmetajt.

Exit mobile version