Home Shëndetësi Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj ortopedit Nushi

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj ortopedit Nushi

Visar Nushi, ortoped kosovar, është akuzuar nga Prokuroria për dëmtim të rëndë trupor të një pacienteje të mitur. Për këtë, prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë dhe kërkon që doktori të dënohet për kryerje të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”
Ortopedi kosovar Visar Nushi do të ulet në bankën e të akuzuarit. Kjo pasi tashmë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur një aktakuzë kundër tij për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Në aktakuzën që e ka siguruar ekskluzivisht nga gazeta “Zëri”me numër PP. II. Nr. 8539/13 të ngritur nga prokurori i shtetit Armend Hamiti, thuhet se Visar Nushi, në cilësinë e doktorit ortoped me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore për të dëmtuarën – e mitur N.Berisha, ka përdorur haptas një metodë të papërshtatshme mjekësore.
Kështu, siç precizon aktakuza, ai nuk e ka paraqitur gjendjen reale të shkallës së deformimit dhe nuk i ka rekomanduar pacientes me kohë mbajtjen apo përdorimin e ortozës (korsetit), ndonëse në vazhdimësi e dëmtuara në këtë periudhë kohore është trajtuar nga i pandehuri.
“Si pasojë e kësaj vjen deri te keqësimi i gjendjes shëndetësore të së dëmtuarës duke i shkaktuar devijim të rëndë të boshtit kurrizor, si dëmtim të rëndë trupor”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori i shtetit. Kështu, prokurori Hamiti akuzon Nushin se ka kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Meqë dyshohet se vepra është kryer në vitin 2011, atëherë Nushi do të ndiqet sipas kodit të vjetër penal, nenit 219, paragrafi i 4 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së, e që nëse vërtetohet vepra nga Gjykata parasheh një dënim prej një deri në tetë vite burg. /Zëri

Exit mobile version