Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për shkak se kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sinjali mëson se të akuzuarit janë Valdrin Jashari dhe Berat Salihu, të cilët akuzohen se kanë futur substanca narkotike në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria në Pejë njofton se sipas aktakuzës, të akuzuarit “dyshohen së në bashkëkryerje, me datë 9 shtator të vitit 2022, rreth orës 13:30 minuta, në Qendrën Korrektuese të burgut të Dubravës, kanë futur substanca narkotike, pasi kanë pasur dijeni për mënyrën e futjes së ushqimit brenda Qendrës Korrektuese të Burgut të Dubravës nga kompania kontraktuese, të pandehurit (V.J dhe B.S) pa dijeninë e pronarit të kompanisë dhe shoferit të automjetit, i pandehuri V.J e dërgon me veturë të pandehuri B.S në Drenas dhe gjatë natë natës, rreth orës 1:48, në automjetit e kompanisë kontaktuese për bartjen e ushqimit në burgun e lartcekur, fusin narkotikë të llojit marihuan (me peshë 614.09 gram) të mbështjellë bashkë me 5 X20 tabletë DBOLMAX me peshë me peshë 11gram dhe me përmbajtje methyltestosterone, 212 tableta me peshë neto 27.61 gram me përmbajtje methandrostenolone, 7 telefona Samsung, 4 telefona Iphone dhe 10 adaptera të telefonave”.
Sipas aktakuzës, gjatë kontrollit nga oficerët korrektues në pjesën e pasme të kamionit, në një gyp të metaltë kanë vërejtur një qese të tejdukshme dhe pas hapjes së saj, gjejnë gjërat e lartcekura të cilat edhe i sekuestrojnë.
Sinjali ka raportuar për këtë rast, për çka fillimisht ishte arrestuar shoferi i kamionit, por ndaj të cilit më pas kanë pushuar hetimet.