Site icon PrishtinaPress

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Mustafës për kontratën në vlerë prej 6.7 milionë euro

Për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prokuroria pretendon se Mustafa, në cilësinë e kryeshefit të Telekomit, “me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”, për kontratën me kompaninë “Paykos”.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që Mustafa të shpallet fajtor dhe të dënohet për veprën që ngarkohet.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 3 maj 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81 paragrafi 1 nën paragrafi  1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro).

Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Exit mobile version