Site icon PrishtinaPress

Prokuroria jep detaje lidhur me arrestimin e Luan Latifit, i dyshuar për ryshfet

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka dhënë detaje lidhur me arrestimet në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Sipas prokurorisë pas pranimit të informatës për keqpërdorime dhe marrje të ryshfetit nga zyrtarë të KPM-së dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ftuar për intervistim edhe të dyshuarin e dytë Luan Latifi, kryeshef në KPM.

Luan Latifi, është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet.

Tutje theksohet se më këto veprime personi i lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin Arben Bilalli të arrestuar dje më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës, dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

I dyshuari Luan Latifi me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Po ashtu njoftohet se ndaj të dyshuarit Arben Bilalli, prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Lidhur me rastin në fjalë, Telegrafi ka raportuar më herët.

Exit mobile version