1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Prokuroria heton tenderin 20 milionësh të pasaportave, dyshime për skandal të ri të MPB-së

Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar edhe një tender të pasaportave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Organet e hetuesisë kanë nisur hetimet nën dyshim që mund të jetë rritur vlera e tenderit në mënyrë fiktive.
Kompania “Veridos” nga Gjermania do të vazhdojë që edhe për pesë vjet të furnizojë me pasaportë biometrike dhe letërnjoftim, Republikën e Kosovës.
Më 28.07.2016, zyra e prokurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompania “Veridos” kanë nënshkruar kontratë në vlerë prej 19.817.750,00 euro, për tenderin “Furnizim me pasaporta, letërnjoftime, patentë shofer dhe mirëmbajtja e sistemeve te tyre”, raporton lajmi.net

Vlera e kontratës është me kohëzgjatje prej pesë vitesh. Procedura e prokurimit ka qenë e negociuar pa publikim të kontratës, çka do të thotë se ministria e ka kufizuar konkurrencën dhe i është ofruar vetëm një kompanie për marrëveshje.
Burime të lajmi.net kanë bërë të ditur se Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar këtë kontratë nën pretendimin që vlera e tenderit mund të jetë rritur në mënyrë fiktive.
“Nuk ka nevojë për makina të reja as asgjë. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, tenderi me kushte të njëjta ishte vlerësuar te jete rreth 10 milionë euro, por në çastet e fundit është rritur edhe për 9 milionë euro. Më sa di është rritur mirëmbajtja në mënyrë ekstreme. Prokuroria është duke u marrë më këtë punë”, ka bërë të ditur një burim, brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Prokuroria e Kosovës nuk ka dashur të flas lidhur më këtë rast. Ka heshtur edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Veridos” e ka furnizuar Kosovën me pasaporta e letërnjoftim edhe në të kaluarën, derisa gara tenderuese ka qenë e hapur. Tenderët e fundit kanë qenë me afat tre vjeçar. Në vitin 2013 kanë qenë dy tenderë të realizuar të kësaj natyre, një për “Furnizimi me letërnjoftime elektronike dhe sisteme (softuer dhe harduer) për personalizimin e letërnjoftimeve”, në vlerë prej 7 milionë e 879 euro. Tjetri tender tre vjeçar është quajtur “Furnizim me Pasaporta Elektronike”, dhe ka qenë në vlerë prej 6 milionë e 631 euro.
Në Planin e prokurimit që kjo ministri e ka dorëzuar në shkurt të vitit 2016 në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, si “Njoftim paraprakë”, për këtë tender kishte paraparë tri iniciativa të veçanta të prokurimit, dhe jo një siç ka proceduar.
Sipas “Njoftimit paraprak”, njëra iniciativë është quajtur “Furnizim me patentë shofer dhe Mirëmbajtja e sistemi te personalizimit për patentë shofer”, e dyta, “Furnizimi dhe mirëmbajtja te sistemi te personalizimit te pasaportave” dhe e treta “Furnizim me letërnjoftimeve dhe mirëmbajtja e sistemit të aplikimit si dhe personalizimit të letërnjoftimeve”.
Para pak kohësh, Ministria e Punëve të Brendshme ishte përfshirë në një skandal lidhur me një tender të pasaportave.
Tenderi për prodhimin e pasaportave biometrike të kosovarëve, me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor në vitit 2011 me kompaninë austriake OeSD-ja.
Ishte paraparë të ishte njëri ndër hapat kryesor që do të plotësonte kërkesën e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, por doli të jetë një nga skandalet më të mëdha.
Krahas procesit civil, të cilin Kosova e humbi në Arbitrazh, lidhur me këtë rast është mbajtur edhe një proces gjyqësor, i cili ka përfunduar në shkallë të parë në dhjetor të vitit 2014.
Si pjesë e këtij procesi, Natali Velija ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, ndërsa më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.
Edhe të akuzuarit tjetër Fisnik Blakaj, i cili fillimisht ishte dënuar me 11 vjet burg i është zbutur dënimi nga Gjykata e Apelit.
Tani, ai do të vuajë 6 vjet burg për veprën penale të pastrimit të parave. Dënimet për veprën penale të pastrimit të parave u janë zbutur edhe të dënuarve të tjerë.
Së fundmi padia e avokatëve që përfaqësuan Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës në Arbitrazhin e Parisit kundër kompanisë austriake OeSD, e që kontestonte juridiksionin e Arbitrazhit, është refuzuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Me këtë hap, kompania austriake nuk ka më asnjë pengesë ligjore për të kërkuar njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, që taksapaguesve të Kosovës do t’u kushtojë më shumë se 5 milionë euro.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img