Prokuroria e Shtetit kishte bërë të ditur muaj më parë se do t’i ftojë për intervistim dy mjekët ligjorë të angazhuar nga familja Dehari, të cilët kanë kryer autopsinë e Astrit Deharit, si dhe avokatin Tomë Gashi. Gashi ka disa javë që është marrë në pyetje nga prokuroria themelore e Prizrenit
Por, dy mjekët ligjorë kjo prokurori ende nuk ka mundur t’i marrë në pyetje. Kjo pasi që asnjëri nga ta nuk janë shtetas të Kosovës.
Prokurori i kësaj çështjeje, Metush Biraj, ka bërë të ditur se hetimeve lidhur me rastin ‘Dehari” po u vjen fundi.
Në një prononcim për Express, Biraj ka bërë të ditur se ky proces pritet të përfundojë në afatin kohor prej një muaji.
“Besoj që brenda një kohe të shkurtër do të përfundohen të gjitha punët lidhur me rastin ‘Dehari” edhe një muaj po besoj që kryhet i gjithë procesi”, ka thënë Biraj.
Ai ka thënë se shumë shpejt pritet që të intervistohen edhe dy mjekët ligjorë të angazhuar nga familja Dehari.
“Ende nuk i kemi dëgjuar dy mjekët e pavarur ligjorë të angazhuar nga familja Dehari. Ata jetojnë jashtë Kosovës, dhe ne duhet ta gjejmë njëfarë forme përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë që ta gjejmë një mënyrë për t’i dëgjuar. Duhet të shohim që ose ata të vijnë në Kosovë, ose ne të shkojmë atje t’i dëgjojmë”, ka thënë për Express, prokurori i rastit.
Familja e Astrit Deharit do të përcaktohet shpejt se cili ekip i huaj do ta hetojë vdekjen e djalit të tyre
Pavarësisht se organet e hetuesisë kosovare kanë konstatuar se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje, familja ka vendosur që të angazhojë një ekip hetues për ta zbardhur vdekjen e djalit të tyre.
Ekipi hetues ndërkombëtar së shpejti do të bëhet publik nga vetë familja Dehari. Kështu ka thënë, avokati i saj, Tomë Gashi.
Gashi për Express, ka thënë se familja Dehari gjatë këtyre ditëve do ta lajmërojnë Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës për ekipin hetues që ajo ka zgjedhur për ta zbardhur rastin e Astrit Deharit.
“Familja e Astrit Deharit është thuajse në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së një institucioni i cili do t’i kryejë hetimet e pavarura dhe do të bëjë ekspertiza të pavarura. Kuvendi i Kosovës ka pranuar që të bëjë pagesën e hetimeve. Shumë shpejtë do të dalim me hetime të pavarura. Në formë të shkruar ne do ta njoftojmë Ministrinë e Drejtësisë sepse kjo ministri ka pranuar që në mënyrë t’i paguajë shpenzimet. Shumë shpejt pritet, nuk mund të japim kohë e as datë, por familja do bëjë publike se cilin institucion e ka zgjedhë”, ka thënë Gashi për Gezetën Express.
Ndërkohë që edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot është deklaruar se ministria që ajo udhëheq është në pritje të përgjigjes nga familja Dehari rreth ekipit hetues të angazhuar nga kjo familje.
“Ne po presim përgjigje nga familja për krijimin e një ekipi hetues ose komision të pavarur për t’u marrë me rastin, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, ka thënë Hoxha.