Në takim kryeprokurori Lumezi e falënderoi ambasadorin Sardi për mbështetjen e vazhdueshme që shteti italian është duke e dhënë për avansimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, e në veçanti për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial përmes projektit të binjakëzimit, i cili po ofron mbështetje në ngritjen e kapaciteteve profesionale në sistemin prokurorial.
Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimin në mes sistemit prokurorial të Italisë.
Mes tjerash, gjatë këtij takimi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka njoftuar ambasadorin Sardi se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve të luftës, si dhe bashkëpunim në mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për koordinim të veprimeve për luftimin e këtyre veprave penale.
Po ashtu Lumezi kërkoi që të nënshkruhet Memorandum i ri i Mirëkuptimit në mes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zyrës Qendrore Antimafia të Italisë, pasi që, siç vlerësoi kryeprokurori Lumezi, paraqitet i nevojshëm bashkëpunimi i ngushtë në mes këtyre institucioneve në luftimin e krimit të organizuar dhe krimeve tjera të ndërlidhura, duke përfshirë shpëlarjen e parave dhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Ambasadori Sardi i premtoi kryeprokurori Lumezi mbështetjen e tij dhe të shtetit Italinan në avancimin e bashkëpunimit në të gjitha çështjet që mund të bashkëpunojnë sistemet prokuroriale të vendit tonë dhe Italisë, konkretisht ofroi mbështetje për ngritjen profesionale të prokurorëve të PSRK-së në hetimin e veprave penale që ndërlidhen me krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe shpëlarjen e parasë.