Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha të enjten se është duke kryer operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.
ZPS-ja tha se operacionet e saj janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
Ajo shtoi se operacionet janë duke u kryer në lidhje me dyshimet për pengimin e drejtësisë.
Gjykata Speciale të enjten ka arrestuar ish-këshilltarin e Hashim Thaçit dhe ish-shefin e AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, dhe vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadilin.
Ndërsa, siç raportohet është duke kryer bastisje edhe në shtëpinë e Hajredin Kuçit, ish-ministrit të Drejtësisë.
Më herët, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) tha se janë arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, dhe ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”, shkroi ai në Facebook.