Prokuroria Themelore në Gjilan së bashku me Policinë e Kosovës kanë sekuestruar rreth 50 kamera të fshehura në fshatrat serbe të rajonit të Gjilanit.
Të njëjtat dyshohen se janë përdorur për fotografi dhe incizime të paautorizuara.
Këtë për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini.
“Me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan, Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 50 kamera në fshatrat serbe në regjionin e Gjilanit, pasi dyshohet se të njëjtat janë përdorur për fotografime dhe incizime të paautorizuara”, ka thënë Xheladini.
Ndërsa rasti është kualifikuar si “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”, nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.