Ditë më parë, Gjykata Themelore ia ka kthyer prapa Prokurorisë aktakuzën e ngritur kundër 12 të pandehurve për përpilimin e listëve të veteranëve.
Sipas njoftimit të Gjykatës, aktakuza e Prokurorisë nuk është përpiluar konformë nenit 241 dhe si e tillë ajo i është kthyer për përmirësim dhe qartësim Prokurorisë Speciale.
Këtë kërkesë të Gjykatës e ka pranuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në një prononcim për Indeksonline, ushtrues i Detyrës së Udhëheqësit të Zyrës për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Ekrem Lutfiu ka thënë se Prokuroria do veprojë në bazë të kërkesës së Gjykatës dhe do përmirësojë dhe qartësojë ato që i janë kërkuar.
“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kërkesën e Gjykatës për plotësim të aktakuzës. Prokuroria do të veproj në bazë të kërkesës së Gjykatës, si dhe, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, ka thënë Lutfiu.
Si e tillë, ai ka thënë se do e dërgojnë përsëri aktakuzën brenda afateve të përcaktuara nga Gjykata.
“Përgjigja në kërkesat e Gjykatës do të jepet brenda afateve të përcaktuara nga Gjykata”, ka thënë më tej ai.