Site icon PrishtinaPress

Prokuroria analizon kërkesën e ministres Hoxha për hetim të Tomë Gashit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar se Prokuroria e Shtetit ka pranuar një letër nga minstrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në të cilën kërkohet nisja e hetimeve për shpërdorim detyre ndaj avokatit Tomë Gashi dhe dy ekspertëve të pavarur që konstatuan vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit.

Lumezi ka thënë për Insajderin se ka pranuar një letër të ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha për hetimin e avokatit Tomë Gashi dhe dy ekspertëve nga Shqipëria, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj.
Lumezi ka thënë se letrën ia ka dhënë një prokurori në zyrën e tij për të vlerësuar se a ka elemente të veprës penale apo jo.
“Po kam pranuar një letër nga ministrja Hoxha, të cilën ia kam dorëzuar një prokurori në zyrën time. Letra do të analizohet dhe do të shihet se a ka elemente për ndjekje penale. Nëse ka, atëherë do të procedohet më tutje”, ka thënë Lumezi.
Ai ka treguar se vlerësimi i letrës nga ana e Prokurorisë do të bëhet të mërkurën.
Në letrën që ministrja e Drejtësisë ia dërgoi sot kryeprokurorit të shtetit, kërkoi autorizim për fillimin e hetimeve zyrtare ndaj avokatit Gashi dhe dy ekspertëve të pavarur mjeko-ligjor të familjes Dehari.
“Kërkojmë autorizimin e fillimit të hetimeve për z.Tomë Gashi, avokat, z. Besim Ymaj ekspert i mjekësisë-ligjore dhe Besim Latifaj, patolog,” thuhet në letrën e Hoxhës për Lumezin.
Raporti i autopsisë, i bërë nga ekspertët e pavarur, kishte konfirmuar se vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë. Por, në raport thuhet se vdekja e tij ka qenë e dhunshme ndërsa në pikën katër të raportit konkludohet se ka shenja të vetëmbrojtjes nga i ndjeri.
I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë.  Ai vdiq më 5 nëntor.
Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime për rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen.
Prej pasdites kur u dha lajmi se në qendrën e paraburgimit në Prizren, kishte vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që mbahej nën dyshimet se kishte bashkëorganizuar sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, janë organizuar një numër marshesh e protestash. /Insajderi.com

Exit mobile version