Site icon PrishtinaPress

Prokurori kërkon paraburgim për 19 nga 23 të arrestuarit për dallavere me patentë shoferë

Ka përfunduar intervistimi i 23 personave që të premten u arrestuar në rastin e patentë shoferëve.

Ndaj 19 prej tyre vendimi do të merret pas 48 orësh, ndërsa 4 prej tyre prokurori është tërhequr duke mos kërkuar masë të paraburgimit.

Prokurori Ilaz Beqiri ka thënë se për 19 të pandehur ka kërkuar një muaj paraburgim ndërsa për Shkëlqim Statovcin, Haki Jasharin, Liljana Bozhaniq dhe Ava Kurteshi ka vlerësuar se nuk ka bazë që të caktohet masa e paraburgimit.

“Seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e prokurorisë për përcaktimin e paraburgimit për të pandehurit tani që jeni në dijeni përfundoi. Gjatë kësaj seance prokuroria ofroi dëshmitë të cilat i ka në dispozicion dhe pala mbrojtëse gjithashtu pretendimet e tyre dhe në fund prokurori u tërhoq nga kërkesa për caktimin e paraburgimit për të pandehurit: Shkelqim Statovci, Haki Jashari, Liljana Bozhaniq dhe Ava Kurteshi, ndërsa për të pandehurit e tjerë pritet që brenda 48 orëve Gjykata të merr vendim. Kam vlerësuar se nuk ka bazë të caktohet masa e paraburgimit”, tha Beqiri.

Të premten Policia ka arrestuar 23 persona si të dyshuar se kanë kryer veprën penale të korrupsionit duke dhënë patentë shoferë në këmbim të parave.

Në këtë aksion janë arrestuar zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, mjekë, pronarë auto-shkollave, etj.

Exit mobile version