Në letrën e dorëheqjes së tij, ish-prokurori Blakaj ka thënë se lidhur me ‘Rastin e Veteranëve kishte ngritur aktakuzë dhe këtë ia kishte përcjellë Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, dhe po ashtu kishte njoftuar dhe prokurorin Sylë Hoxha, i cili më parë ka qenë në krye të Prokurorisë Speciale.
Por, Sylë Hoxha ka mohuar se aktakuzat e ngritura për rastin e veteranëve janë dërguar në gjykatë.
Ai për lajmi.net ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim për një gjë të tillë dhe se aktakuza nuk ka ardhur në gjykatë.
“Jo s’kemi njoftim, nuk jemi në dijeni se aktakuza ka shkuar në gjykatë, sepse kur ajo të shkon në gjykatë publikohet se ka dal aktakuza e prokurorisë. Ne nuk kemi informacion, faktikisht nuk ka shkuar aktakuza në gjykatë”, ka thënë Hoxha për lajmi.net.
Prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pasi siç u raportuar ai ishte kërcënuar në rastin e hetimeve të listave të veteranëve.
Por, në letrën lamtumirëse që ua ka dërguar kolegëve të tij, ai nuk thotë se këtë gjë e ka bërë për shkak të kërcënimeve.
“Tani e tutje aktivitetin tim profesional do ta vazhdoj jashtë sistemit prokurorial, brenda dhe jashtë vendit, gjithmonë në interes të parimeve themelore për një sistem të drejtësisë me integritet”, thuhet në letrën e tij.
Ai po ashtu ka falënderuar kolegët e tij për mbështetjen e dhënë, sidomos në rastin e hetimit të veteranëve të rrejshëm, për të cilin rast thotë se edhe ka ngritur aktakuzë.
“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë tërë këtyre viteve, duke vlerësuar lartë ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjorë. Se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi, në veçanti vlen të ceket bashkëpunimi dhe ndihma e palodhshme e disa prej kolegëve në 10 muajt e fundit, në njërin nga rastet më voluminoze dhe komplekse i quajtur si ‘Rasti i Veteranëve’, për të cilin rast nga 11 Korriku 2018, aktakuzën ia kam përcjell Kryeprokurorit Millaku”, shkruan Blakaj.
Për ngritje të aktakuzave nuk janë në dijeni as disa të apostrofuarit, pjesë e këtij hetimi. Shkuri Buja ka thënë për lajmi.net, se ai ka pasur ftesë për tu intervistuar, por që nuk ka shkuar, ndërsa për anëtarët tjerë ka pranuar se janë intervistuar.
Dorëheqja e Blakaj nga posti prokurorit në Prokurorinë Special, ka ngjallur reagime të mëdha në vend, duke e vlerësuar si dorëzim të drejtësisë kosovare para kërcënuesve.