Kuvendi i Kosovës me 66 vota për, 1 abstenim ka miratuar Projektligjin për Prishtinën.
Me këtë ligj rregullohet organizimi dhe funksionimi i Kryeqytetit të Kosovës, i cili ka status të veçantë juridik sipas Kushtetutës së Kosovës.
Prishtina sipas këtij Projektligji do të ketë njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës. Pra, Kuvendi Komunal i propozon kryetarit të Prishtinës dy kandidatë për drejtor të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit i cili emëron njërin nga ta për Drejtor të Drejtorisë së Policisë të Kryeqytetit.
Po ashtu sipas këtij Projektligji Kryeqyteti themelon spitalin e përgjithshëm të Kryeqytetit, funksionimi dhe organizimi i të cilit rregullohet me legjislacionin përkatës në fuqi.
Në kuadër të stafit administrativ të Kryetarit bëjnë pjesë: shefi i kabinetit, asistenti administrativ dhe zyrtari i logjistikës.Po ashtu, për herë të parë Kryetari i Kryeqytetit ka dy nënkryetarë të cilët e ndihmojnë Kryetarin në ushtrimin e kompetencave të tij, kryetari mund të emërojë deri në pesë këshilltarë, të cilët e këshillojnë në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij, të cilët i emëron dhe i shkarkon Kryetari.
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë kohës sa ishte kryetar i Prishtinës kishte këmbëngulur në këtë ligj, deri në përplasje me Qeverinë që drejtohej nga Hashim Thaçi. /Telegrafi/