Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka kaluar vetëm në lexim të parë. Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se ky projektligj do të shkojë për miratim në Kuvend, shumë shpejt. Ndërkohë, njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të sindikatave të punëtorëve, janë skeptikë për sa i përket miratimit të këtij ligji, duke thënë se shuma minimale, tani për tani nuk është e mjaftueshme.
Projektligji për Pagën Minimale, pritet të sillet në Kuvend shumë shpejt, për lexim të dytë. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit të qeverisë.
“Së shpejti presim që ta kemi në lexim të dytë Ligjin për Pagën Minimale, sepse pjesa më e madhe e qytetarëve tanë janë të punësuar në sektorin privat”, pati thënë kryeministri Kurti.
Projektligji në fjalë, në lexim të parë ka shkaktuar pakënaqësi qysh në fillim të tij, ku ndër të tjera nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës, ashtu siç është aktualisht. Partitë opozitare patën kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro, ndërkohë që projektligji i ri parasheh që paga minimale të rritet në 250 euro neto.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, duke folur për Radio Kosovën, thotë se kjo nuk është e mjaftueshme.
“Ne së pari nuk besojmë që ai ligj mund të sillet shumë shpejt në Kuvend. Pasi dihet që sipas vendimit që paga minimale është e lidhur me pagën e veteranëve të luftës, aty sigurisht që qëndron problem”, thotë Azemi për Radio Kosovën.
“Po e përsëris, që të bisedohet për pagën 250 euro është si të bisedohet për borën e parvjetmit, e që në një formë neve nuk na hyn asgjë në punë tani për tani me gjithë këtë inflacion, me këtë rritje të shpenzimeve dhe ikje nga jashtë, mendoj që gjithkush që bisedon nën pagën 500 euro, është diçka e kot dhe nuk duam të merremi me të.”
Ndërkohë, njohësi i ekonomisë, Musa Limani, në një përgjigje për Radio Kosovën thotë se caktimi i pagës minimale siç e parasheh projektligji i ri, nuk i përgjigjet realitetit të Kosovës, ndërsa me këtë paraqitet edhe nevoja për ikje jashtë vendit.
“Paga minimale nuk mund të caktohet në bazë të asaj që thotë populli “zgjate dorën”, por ekziston forma dhe mënyra e përcaktimit”, tregon Limani.
“Për 2020-ën e pata llogaritur në bazë të çmimeve matet që jep ASK, atëherë paga minimale më ka dal 350 euro, e me këtë inflacion që kemi sot dhe artikujve që janë në listën e ekzistencës jetësore të popullatës, është diku rreth 400. Ajo me 250 euro nuk i përgjigjet realitetit tonë.”
Në Kosovë vlerësohet se janë 100 mijë punëtorë në Kosovë, që marrin pagë minimale. Aktualisht, Ligji ka kaluar në lexim të parë. Për të hyrë në fuqi, ai duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë në Kuvendin e Kosovës dhe të nënshkruhet nga presidentja e vendit.