Në mbështetje dhe koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka nisur zbatimin e projektit të Strokut, Insultit Iskemik, i njohur në popullatë si “pika në tru”.
Zbatimi i projektit do të mundësojë aplikimin e trombolizës dhe tromboektomisë, procedura që largojnë mpiksjen e gjakut dhe rikanalizojnë enët e gjakut, duke i rikthyer funksionet e mëparshme tek pacienti.
Projekti ka nisur të zbatohet në Komunën e Prishtinës, përderisa për të përforcuar njohuritë e punëtorëve të Urgjencës së kryeqytetit, mjekët e Klinikës së Neurologjisë, kanë nisur nga dita sotme, një cikël të ligjëratave.
Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se pas fillimit të projektit të trajtimit të Infarktit Akut, tashmë kas nisur zbatimi edhe i projektit të dytë, Strokut, me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë, e përmes së cilit do të mundësohet që shumë qytetarëve të rajonit të Prishtinës që kanë shenja të sulmit në tru, të ju ofrohet shërbimi në kohë rekorde, në bashkëpunim me Urgjencën e qytetit të Prishtinës.
Izet Sadiku, drejtor për Shëndetësi i Komunës së Prishtinës, tha se në kuadër të bashkëpunimit me ShSKUK, fillimisht kishte nisur projekti i STEM, për trajtimin e rasteve të infarktit në zemër, kurse tashmë ka nisur edhe zbatimi i projektit të Strokut.
“Ne e kemi obligim për me shpëtu jetë, këto dy projekte janë shpëtimtare dhe shpëtojnë jetë .
“Qëllimi është me fitu kohën e artë, qëllimi përbashkët edhe i ShSKUK, kurse e falënderoj drejtorin Azizi që ka përkrahur zbatimin e dy projekteve”, u shpreh z. Sadiku.
Edmond Komoni, drejtor i Klinikës së Neurologjisë, tha se ideja e projektit Strok-ut, ka nisur para disa vitesh, me prioritet të lartë, ku kanë filluar punën me një grup mjekësh, neurolog, ku është bërë udhërrëfyesi me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe tani ka nisur zbatimi i projektit.
Ai tha se fillimi i bashkëpunimit dhe zbatimit të tij në komunën e Prishtinës, është i mirëseardhur, përderisa nevojitet që ky bashkëpunim që shpëton jetë të fillojë zbatimin në krejt Kosovën, siç është hartuar edhe projekti.
Rrezart Halili, zv. Drejtor i QKMF- Prishtinë dhe nënkryetar i Odës së Mjekëve, tha se kur tre hallkat e sistemit shëndetësor funksionojë mirë, atëherë suksesi do të jetë i pa diskutueshëm.
Avdyl Pacolli, drejtor i Urgjencës së Prishtinës, falënderoj të gjitha institucionet për koordinimin, me qëllim të zbatimit të projektit.