14.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Projektet e papërfunduara infrastrukturore, Kurti takohet me pronarët e kompanive të ndërtimit të rrugëve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka mbajtur një tryezë diskutimi me pronarët e ndërtimit të rrugëve, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministri Hysen Durmishi.

Duke qenë se zhvillimi i infrastrukturës rrugore është me rëndësi jetike për ekonominë e vendit, kryeministri Kurti gjatë këtij takimi theksoi se pikërisht investimet në infrastrukturë duhet të arrijnë misionin e të qenurit të konkurueshme në investimet vendore, por edhe për pjesëmarrje në tregun ndërkombëtar.

Për shkak të shumë projekteve të filluara vite më parë e ende të papërfunduara, kryeministri foli për rëndësinë e vendosjes së rregullave të qarta të konkurrencës, përzgjedhjes e definimin e qartë të obligimeve reciproke, si dhe respektimin pa kushte të këtyre obligimeve.

Kësisoj, tregoi se jemi në proces të korrigjimit të lëshimeve në projekte, rregullimin e çështjes së pronave dhe shtim të angazhimeve në projekte ekzistuese. Ndërkaq, për projektet e reja, jemi duke përgatitur tërë dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë që projektet të mos ngecin.

Ai përmendi një sërë projektesh me afatet e tejzgjatura në realizim të kontratave si:

a. Investimet në Drenicë (rruga Komoran-Skenderaj) kanë filluar në vitin 2014. Për shkak problemeve të pazgjidhura – ende e papërfunduar;

b. Investimet në Dukagjin (Dollc-Gjakovë) e filluar më 2019, ende e papërfunduar, ende me problem të pronave dhe projektit të pazgjedhura;

c. Investimi në drejtim të Mitrovicës – i papërgatitur dhe rrjedhimisht i tejzgjatur dhe ende i papërfunduar;

d. Investimi në drejtim të Gjilanit (Autoudha dhe jo vetëm), të papërgatitura dhe rrjedhimisht të tejzgjatura;

e. Investimet në drejtim të Llapit të filluara pa shpronësime, të papërfunduar.

“Ne jemi një qeveri e cila dëshiron të marrë pak më shumë kohë në planifikim dhe përgatitje, në mënyrë që ekzekutimi të jetë i shpejtë. E jo, pa përgatitje e planifikim, e me ekzekutime të tejzgjatura”, shtoi kryeministri.

Gjatë vitit 2022 dhe në fillim të këtij viti janë nënshkruar memorandume me 18 komuna, për 44 projekte, të cilat janë në procese kontraktimi në infrastrukturë rrugore.

Ai u bëri thirrje Operatorëve Ekonomikë aktualisht të kontraktuar që të shtojnë kapacitetet e angazhuara në pajisje dhe personel në realizimin e obligimeve të kontraktuara; të respektojnë maskimalisht standardet, kualitetin/cilësinë e materialeve dhe sigurinë në punë; të mundësojnë qarkullimin e automjeteve nëpër segmentet ku punohet në veçanti në periudhën e vizitës së bashkatdhetarëve, dhe në segmentet me qarkullim të madh, të shfrytëzohet edhe nata për të ekzekutuar punët.

Ndërkohë që, në anën tjetër, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve, do të shtojnë kapacitete mbështetëse për të siguruar se puna e kryer do të paguhet në afat maksimalisht të shkurtuar si dhe problemet eventuale pronësore apo të tjera të zgjidhen në afat rekord.

“Si qeveri, i kemi vënë vetës qëllim që faturat do të paguhen me kohë, në mënyrë që të mos shkaktohen probleme për punëkryesit, sepse jemi të vetëdijshëm për probleme të tilla në të kaluarën”, tha kryeministri.

Duke u bazuar në të dhënat e fundit, ai shtoi se tremujori i dytë i vitit 2023 ka shënuar nivelin prej 110 milionë euro investime kapitale, që njëkohësisht është niveli më i lartë i regjistruar. Krahasuar me vitin paraprak, ka mëse dyfishim të dinamikës, gjë që pritet të shërbejë si impuls pozitiv edhe për rritjen e ekonomisë në TM2, më lart sesa në TM1 ku rritja reale ishte 3.9%.

Kryeministri Kurti, gjatë diskutimit shprehu edhe gatishmërinë e tij që së bashku me ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi, t’i vizitojmë punët të cilat kryhen edhe gjatë natës në stinën e verës.

Në fund të takimit me propozim të Kryeministrit Kurti u dakorduan që takimet e përbashkëta të tilla të vazhdojnë edhe në vijim, takimi i radhës pritet që të mbahet në vjeshtë. Po ashtu, Kryeministri shprehu gatishmërinë që të zhvilloi edhe vizita në vendpunimet që janë duke u bërë, për t’i parë nga afër punimet.

Përfaqësuesit e kompanive të ndërtimit shprehën falënderimin e tyre për këtë tryezë të diskutimit, teksa dhanë vlerësimin pozitiv të tyre për mbështetjen e Qeverisë përmes Ligjit për Mbështetjen e Punimeve Publike.​

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img