Vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për të mos e lejuar personelin akademik që të angazhohet edhe në kolegje private, po gjen mbështetje edhe nga vetë profesorët. Madje, po cilësohet edhe si i vonuar. Sipas profesorit të UP’së, Blerim Rexha, pas këtij vendimi do të rritet menjëherë kërkesa për staf, e në aspekt afatgjatë do të ndikojë në rritjen e cilësisë në arsimin e lartë në krejt vendin.
Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, e ka mirëpritur vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, që ua ndalon personelit akademik të këtij universiteti angazhimin në kolegje private. Madje, e ka quajtur si të vonuar.
Rexha i ka thënë Gazetës Express se ky vendim tregon se tregu i arsimit të lartë në Kosovë është stabilizuar dhe se institucionet publike më në fund po i marrin seriozisht konkurrencën nga institucionet private.
“Në rend të parë, ky vendim tregon se tregu i arsimit të lartë në Kosovë është stabilizuar dhe institucionet publike më në fund po i marrin seriozisht konkurrencën nga institucionet private të arsimit të lartë. Të gjithë ne tani garojmë për tregun e njëjtë – për këta 21 mijë maturantë nga shkollat e mesme. Mendoj se vendimi, edhe pse i vonuar është i qëlluar, sepse sikurse në çdo fushë tjetër nuk mundemi të punojmë edhe për shtëpi edhe kundër shtëpisë ku jetojmë, në të njëjtën kohë”, ka deklaruar Rexha.
Sipas Rexhës, impakti i menëhershëm i këtij vendimi do të jetë kërkesa e shtuar për staf akademik, derisa shton se do ta rrisë edhe cilësinë e arsimit të lartë në gjithë vendin.
“Impakti i menjëhershëm do të jetë kërkesa e shtuar për staf akademik edhe nga institucionet publike dhe ato private. Ndërsa impakti afatgjatë i këtij vendimi do ta rritë cilësinë në arsimin e lartë në krejt Kosovën, sepse institucionet e arsimit të lartë do të përcaktohen me qartë dhe do të investojnë më shumë në mësimdhënësit e tyre. Reputacioni secilit institucion të arsimit të lartë do të lidhet në mënyrë unike me reputacionin e kuadrove akademike që ka. Sikurse në çdo fushë tjetër – resursi më i vlefshëm i çdo institucioni – janë njerëzit e tij!”, ka thënë Rexhaj për Express.
Edhe për ish-zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovcin, ky vendim është i kuptueshëm. Sipas Pupovcit, ky vendim është i dobishëm edhe për kolegjet private, meqë do t’u ndihmojë në profilizim.
“Në kushtet e zvogëlimit të vazhdueshëm të interesimit për studime universitare dhe ashpërsimit të kushteve për akreditim, kolegjet private janë konkurrencë e drejtpërdrejtë e Universitetit të Prishtinës, prandaj vendimi është i kuptueshëm. Besoj se ky vendim i UP-së do t’i ndihmojë kolegjet private që të profilizohen, duke u përqendruar në ato programe për të cilat mund të sigurojnë personel akademik të kualifikuar, sepse personeli akademik është aseti kryesor që i jep identitet një institucioni të arsimit të lartë.
Ai ka propozuar që një vendim i ngjashëm të merret edhe në raport me universitetet tjera publike.
“Do të ishte e arsyeshme që një vendim i ngjashëm të merrej edhe në raport me universitetet tjera publike, që do të ju ndihmonte edhe atyre të profilizohen, duke shmangur replikimin e panevojshëm të programeve të UP-së në ato universitete”, ka thënë Pupovci për Express.
Ndryshe, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka vendosur sot që t’ua ndalojë profesorëve të këtij universiteti që të angazhohen edhe në kolegje private.
Në vendim thuhet se këtu përfshihet edhe deklarimi në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen në çfarëdo forme të kolegjit/institucionit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional.
“Nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje/institucione private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen në çfarëdo forme të kolegjit/institucionit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional”, thuhet në vendim./Gazeta Express