3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Profesorëve të UP-së u ndalohet të krijojnë marrëdhënie të rregullt të punës në institucione tjera

Personeli akademik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, tani e tutje nuk do të ketë të drejtë të krijojë marrëdhënie tjetër të rregullt të punës, përveç UP-së.

Ata nuk do të kenë të drejtë të krijojnë marrëdhënie të rregullt të punës qoftë në ndonjë institucion tjetër publik apo privat, vendor apo ndërkombëtar, brenda apo jashtë vendit.

Kështu është vendosur në bazë të një vendimi të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për përcaktimin e ngarkesës në punë dhe angazhimet e profesorëve të UP-së.

Sipas këtij vendimi të siguruar nga KALLXO, profesorët e UP-së po ashtu nuk do të mund të kenë punë të rregullt në UP, nëse orari i rregullt i punës tjetër përputhet me orarin e rregullt të punës në UP, duke përfshirë gjyqtar, prokuror, ministër, këshilltar politik, shef ekzekutiv, e të ngjashme si dhe angazhime të tjera që ndikojnë në mos përmbushje të detyrave të UP-së.

“Personeli akademik po ashtu nuk mund të kenë marrëdhënie pune të rregullt me UP dhe të jenë të emëruar në ndonjë institucion publik ku natyra e emërimit dhe ngarkueshmëria në kuptim të angazhimit do të përputhej me specifikat e marrëdhënies së rregullt të punës, pra qëndrimi në zyrë brenda një orari të rregullt të punës, i cili përputhet me orarin e rregullt të punës në UP”, thuhet në vendimin e KD-së së UP-së.

Sipas këtij vendimi, personeli në marrëdhënie të rregullt pune kanë të drejtë të angazhohen në cilësi të ekspertit profesional për nevoja të ekspertizave, konsulencave apo pjesëmarrjes në komisione ose grupe punues në institucionet publike apo private, vendore ose ndërkombëtare, me kusht që këto angazhime të mos ndikojnë në përmbushjen e detyrave të përcaktuara me kontratën e punës, Statutin e UP-së dhe këtë vendim.

KD po ashtu ka marrë vendim që monitorimin e kryerjes së detyrave të punës në UP ka për obligim ta përcjellë dhe raportojë dekani i njësisë akademike.

Këshilli Drejtues në këtë vendim të datës 18 shkurt 2022 ka theksuar se personeli akademik është i detyruar që së paku dy herë në javë të ketë qëndrim në zyrë ose në salla, sipas një orari të përcaktuar, me qëllim të zhvillimit të konsultimeve për studentë, në lidhje me realizimin e detyrave të punës.

Vendimi po ashtu ka specifikuar se angazhimi në marrëdhënie pune të kufizuar në një institucion të arsimit të lartë jashtë UP-së mund të bëhet pas njoftimit të dekanit të njësisë akademike dhe Rektorit të UP-së, nëse punëdhënësi i tillë ushtron veprimtari konkurruese me UP, si universitet tjetër publik ose privat apo institut kërkimor.

Sipas vendimit të KD-së, marrëdhënia e jashtme e punës në një universitet tjetër publik apo privat apo institut shkencor, nuk mund të kaloj më shumë se katër orë angazhim në javë.

Këshilli Drejtues po ashtu në këtë vendim ka thënë se rektori në bashkëveprim me dekanët e njësive akademike, mund të iniciojë procedura përkatëse ndaj personelit akademik për shkelje të dispozitave të këtij vendimi.

Në këtë vendim po ashtu është theksuar se personeli akademik që përveç UP-së ka edhe ndonjë marrëdhënie/kontratë tjetër të rregullt të punës, obligohet që deri më 20 shtator të secilit vit kalendarik të përcaktohet në cilin institucion do të qëndrojë në punë të rregullt.

Vendimi po ashtu thotë se personeli akademik në rast të pezuillimit të punës në UP pas zgjedhjes në funksione publike, pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë të kthehet te punëdhënësi brenda afatit 5 ditësh, pa pasur nevojë që t’i shpallet konkursi publik.

Sanksionet për personelin akademik

Në vendimin e Këshillit Drejtues për përcaktimin e punës për personelin akademik është theksuar po ashtu se personeli akademik, që nuk respekton afatin e përcaktuar për deklarimin e punës së rregullt, do të njoftohet për inicimin e procedurës disiplinore dhe mundësinë e ndërprerjes së kontratës së punës.

Në rast të veprimit në kundërshtim me këtë vendim, KD ka paraparë që UP-ja mund t`ia ndërpresë kontratën e punës sipas procedurave ligjore, me një periudhë paralajmërimi me këto intervale kohore njoftimi:

Prej gjashtë muajsh deri në dy vite punësimi, 30 kalendarike;
Prej dy deri në 10 vite punësimi, 45 ditë kalendarike;
Mbi 10 vite punësim, 60 ditë kalendarike.

Vendimi specifikon se dekanët e njësive akademike janë përgjegjegjëse për përcjelljen dhe mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit mësimor si dhe përmbushjen e detyrimeve tjera të personelit akademik.

Po ashtu, sipas këtij vendimi, Këshilli i Etikës është organi kompetent për të vendosur mbi rastet e iniciuara për shkeljen e këtij vendimi dhe/apo rregullativës në fuqi në lidhje me çështjet që rregullohen në këtë vendim.

Arsyetimi i vendimit të Këshillit Drejtues

Në arsyetimin e këtij vendimi Këshilli Drejtues i UP-së ka thënë se kjo është bërë duke u mbështetur në rritjen e cilësisë dhe fuqizimit të kapaciteteve të UP-së.

“Sidomos në rrethanat aktuale, ku konkurrueshmëria në arsimin e lartë në vend është sfiduese , kërkohet që aktet si ky dhe të ngjashme të plotësohen që të kontribuojnë në një arsimim të lartë cilësor, konkurrent, me nxjerrjen e kuadrove të kërkuara nga tregu i punës si dhe në ngritjen e përgjithshme të performancës së punës së UP-së”, thuhet më tej.

Këshilli Drejtues po ashtu ka thënë se ka marrë në konsideratë që ende një numër i konsideruar i personelit akademik të UP-së përveç marrëdhënies së rregullt të punës në UP, mbajnë edhe funksione publike apo angazhime të tjera në institucione vendore.

Historiku i ‘kufizimeve’

Në vitin 2021, këto ‘kufizime’ ishin bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme, por ishin për deputetë.

Ministria e Punëve të Brendshme kishte dhënë një opinion ligjor në drejtim të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në të cilën është kërkuar që 11 profesorë që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, të pezullojnë punën e tyre në UP.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me opinion ligjor të lëshuar nga MPB. Në këtë opinion është sqaruar se stafi akademik dhe personeli arsimor i shkollave publike konsiderohen, “nëpunës të shërbimit publik” me ç’rast hyjnë në kuadër të Ligjit për Zyrtarë Publikë.

Sipas këtij opinioni, profesorët e Universiteteve Publike në momentin që zgjidhen deputetë të Kuvendit të Kosovës, duhet të pezullojnë marrëdhënien e punës në universitet.

“Në rast se nën punësi i shërbimit publik zgjedhët Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoji: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punë sprej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhej në opinion ligjor.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img