Ish-sekretari i ministrisë së Shëndetësisë, infektologu Ilir Tolajt,thotë se prioriteti kryesor i Qeverisë së ardhshme duhet të jetë menaxhimi i pandemisë.
Sipas tij, ndonëse grumbullimi i problemeve është aq i madh saqë ndonjëherë disa prej problemeve mbesin në planin e dytë.
“Çdo ditë vonese është vonesë e veprimeve aktive që duhet të bëhen edhe për pandeminë, por në përgjithësi edhe për sistemin shëndetësor dhe shoqërinë në tërësi. Sipas deklarimeve të tyre pritet që të jenë më proaktiv. Mendoj duhet me qenë edhe realist që grumbullimi i problemeve është aq i madh saqë ndonjëherë disa prej problemeve ose disa prej çështjeve mbesin në planin e dytë, por mendoj që pandemia është prioritet jo vetëm për Kosovën, por edhe krejt rajonin andaj besoj që edhe për këtë Qeveri do të jetë prioritet”, tha ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë vonuar në sigurimin e vaksinës.
“Këto përgatitje është dashur që të ndodhin që nga vera e vitit të kaluar. Në momentin kur ka pasur njohuri që disa prej vaksinave janë në fazën tre të zhvillimit dhe që shumë prodhues potencialisht kanë qenë shumë afër regjistrimit të këtyre vaksinave është dashur që të vihen kontakte me këta prodhues dhe të bëhen para kontratat”.
Ndërsa, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, theksoi se nëse Qeveria në detyrë ka kompetenca për të emëruar dhe shkarkuar njerëz, atëherë duhet të ketë përgjegjësi edhe në menaxhimin e situatës.
“Nëse kanë kompetenca për me emëruar dhe shkarkuar njerëz atëherë kanë kompetenca edhe për menaxhimin e situatës. Andaj si është e mundur për katër javë ditë nuk është thirrur asnjëherë komiteti këshillëdhënës”.
Prandaj ai thotë se Qeveria e re duhet që me ndihmën e ekspertëve ta marrë nën kontroll situatën me pandeminë.
“Unë mendoj që Vetëvendosje e cila ka fituar shumicën e ka vendosur pandeminë në rend të parë. Dhe unë shpresoj që ekspert të tyre me ndihëm e ekspertëve që janë qe një vjet duke punuar duhet të fillojnë punën që në ditën e parë të marrjes së pushtetit dhe të vazhdohet puna aty ku ka ngecur”.