Site icon PrishtinaPress

Procesi i vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë drejt përfundimit, komunat mbesin pa vaksina për të moshuarit

Përkundër interesimit për t’u vaksinuar kundër virusit COVID-19, të moshuarit mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike ende nuk po arrijnë të vaksinohen. Drejtorë të Shëndetësisë në komuna thonë se nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk i kanë furnizuar me vaksina për vaksinimin e këtyre personave, përkundër që janë në përfundim të vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë.

Ndonëse Kosova është furnizuar me 24 mijë doza të vaksinës Anti-COVID, komunat ende nuk janë furnizuar me vaksina për vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike. Në këto komuna tashmë ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë, i cili pritet të përfundojë deri në fund të javës së ardhshme, mirëpo për fillimin e vaksinimit të personave mbi 80 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, zyrtarë të komunave ende nuk janë informuar.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili ka thënë për Express se janë furnizuar me 980 vaksina Anti-COVID, nga Ministria e Shëndetësisë, aq sa kanë edhe punëtorë shëndetësorë.

Ai ka thënë se vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë pritet të përfundojë deri ditën e premte, ndërsa për fillimin e vaksinimit të personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike, atyre nuk i është dhënë ndonjë datë.

“Ne jemi në proces të vaksinimit dhe presim që deri të mërkurën ose të enjten të përfundojmë vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë. Në këtë proces kemi marrë 980 vaksina aq sa kemi edhe punëtorë shëndetësorë. Ne nuk kemi informata të sakta se kur do të fillojë edhe vaksinimi i të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike”, ka thënë ai.

Xhemaili është shprehur se 600 të moshuar mbi 80 vjeç dhe persona me sëmundje kronike janë regjistruar deri tani për vaksinim, ndonëse ka interesim edhe nga persona tjerë për ta marrë vaksinën.

Ndërsa, edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë për gazetën se janë duke vaksinuar vetëm punëtorët shëndetësorë.

Ajo ka treguar se si komunë janë furnizuar me 1 mijë doza të vaksinës për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë dhe se në momentin kur do të furnizohen me doza tjera, do të fillojnë edhe vaksinimin e të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike.

Vetëm punëtorët shëndetësorë të sektorit publik janë duke u vaksinuar njëherë. Ne jemi furnizuar me 1 mijë doza të vaksinës. Ditën e parë 187 punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar me to, ditën e dytë 70 persona dhe ditën e djeshme 56 persona. Për vaksinim po punohet edhe ditëve të vikendit dhe ditëve të festave dhe besoj që brenda javës do të përfundojë vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë”, ka thënë ajo.

Spahiu-Shllaku ka thënë se janë afërsisht 13 mijë persona mbi moshën 65 vjeçare dhe me sëmundje kronike të cilët janë paraqitur për t’u vaksinuar.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ka thënë se as ata nuk janë njoftuar se kur do të furnizohen me vaksina Anti-COVID për vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç dhe personave me sëmundje kronike.

Ajo ka thënë se po shpresojnë që pasi të vaksinojnë punëtorët shëndetësorë, të furnizohen me vaksina nga Ministria e Shëndetësisë.

“Pasi të mbarojmë punëtorët shëndetësorë shpresoj që të furnizohemi prapë prej Ministrisë së Shëndetësisë që të fillojmë vaksimin e personave të moshuar. Ende nuk na kanë lajmëruar asgjë. Deri tani 80 punëtorë shëndetësorë javë vaksinuar. Procesi ka shkuar në rregull dhe nuk ka pasur ankesa nga të vaksinuarit”, ka theksuar ajo.

Ndërsa, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë sot për media se deri tani janë vaksinuar rreth 3 mijë punëtorë shëndetësorë.

Ai ka deklaruar se nga e marta do të fillojë edhe vaksinimi i punonjësve shëndetësorë të sektorit privat.

Kujtojmë që më 28 mars Kosova është furnizuar me 24 mijë vaksina të AstraZenecas nga COVAX.

I pari që është vaksinuar me këtë vaksinë ka qenë kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Nga COVAX kanë premtuar të furnizojnë Kosovën edhe me 100 mijë e 620 vaksina në qershor të këtij viti.

Exit mobile version