-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Procesi i Berlinit, arrihen tri marrëveshje të rëndësishme që lidhen me vendet e Ballkanit Perëndimor

Ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord në Berlin për lëvizjen e lirë me letërnjoftime mes shtetasve të rajonit, njohjen e diplomave universitare, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale.

Këtë e bëri të ditur të premten në Berlin, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në kuadër të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, shkruan DW.

Heqja e vizave mes Kosovës dhe Bosnjës

Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Ministrja gjermane e punëve të jashtme theksoi të premten gjatë fjalës hapëse në konferencë se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje e kanë njerëzit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin. “Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe boshnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që për ne evropianët është e zakonshme. Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”, ka thënë ajo duke shtuar se këto marrëveshje lehtësojnë rrugën për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.

Heqja e tarifave për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve

Krahas të dërguarit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për arritjen e marrëveshjeve ka punuar edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me qendër në Sarajevë. Sekretarja e përgjithshme e tij, Majlinda Bregu, ka sqaruar se falë marrëveshjes tani të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë më tarifa prej 200 deri 500 euro për njohjen reciproke të diplomave. “Me këtë marrëveshje, kjo kosto do të jetë zero. Për qytetarët ky është një fitim real”, ka thënë ajo.

Bregu ka deklaruar se falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë të njerëzve, do të bjerë edhe “muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, ai mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”.

Duke kujtuar suksesin e parë të deritanishëm të Procesit të Berlinit, heqjen e tarifave roaming, Bregu ka shtuar se “tani ka ardhur koha që të hiqen tarifat roaming mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”.

Dokumenti përfundimtar do të nënshkruhet në samitin e 3 nëntorit në Berlin, në prani të gjithë liderëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit të BE.

Marrëveshjet e arritura janë tre nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel. Por ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë. Kosova ngulte këmbë që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk e pranonte Serbia. Kompromisi i arritur, duket se i ka tejkaluar këto mosmarrëveshje. Qarqe diplomatike i dhanë DW se është zgjedhur një gjuhë diplomatike e tillë, me të cilën mund të jetojë si Kosova, ashtu edhe Serbia.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img