Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në kërcënime serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Prizren, ku një person dyshohet se ka kërcënuar seriozisht fqinjin e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 51-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, ku ka deklaruar se fqinji i tij e ka kërcënuar me vrasje.
Bazuar në dëshminë e tij, kjo ka ndodhur për disa rrethoja të cilat i kishte vendosur në pronën e vet.
Si rezultat i denoncimit, 36-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.