Site icon PrishtinaPress

Pritja shtetërore për 25-vjetorin e çlirimit: Osmani mjafton me një ‘gëzuar’, Kurti lavdërohet për sukses në qeveri

Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, është mbajtur edhe një pritje shtetërore ku morën pjesë ambasadorë, ministra, deputetë, ish-diplomatë të njohur.

E para që mori fjalën në pritjen shtetërore ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo në fjalimin e saj ishte e shkurtër, duke bërë disa herë ‘Gëzuar’ me të gjithë të ftuarit, raporton Nacionale.

“Gëzuar që mund të marrim frymë, gëzuar për aleancat e miqësitë tona, gëzuar për fëmijët tanë që na përkujtojnë që liria edhe pse me çmim të lartë e gjithë ajo sakrificë vërtetë ia ka vlejtur që ta shohim gëzimin e lumturinë në fytyrat e fëmijëve të sotëm. Faleminderit secilit që ka kontribuar që ta gëzojmë ditën e sotme, nga secili qytetar dhe familje. Deri tek secili mik i yni nga ata që kontribuan në 1999, e deri këta që i kemi sot me ne që nuk na lënë vetëm as në ditët e sotme që Kosova ecën e fortë dhe demokratike si një shembull i jashtëzakonshëm i një populli stoik”, tha presidentja Osmani.

Edhe kryeministri Kurti e filloi fjalën e tij me falënderime për ndërkombëtarët dhe mirënjohje për dëshmorët.

“Javët e muajt e pranverë 1999 ishin të vështira. Plani gjenocidal Patkoi sollën humbje, vuajtje e shkatërrim pa masë në mbarë Kosovën. Por kur ushtarët e parë të NATO-s hynë në Kosovë, fytyrat e mbulura nga pikëllimi dhe sytë që kishin parë ditë të errëta, filluan të shkëlqenin me lotë gëzimi. Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me zemra të hapura, si çlirimtarë, njësoj si luftëtarët e UÇK-së. Ushtarëve iu ofruan lule, gjersa valëviteshin flamujt e Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, krahas flamurit kombëtar shqiptar. Sot themelet e shtetit tonë janë të forta, sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve, nga qëndresa e popullit e me mbështetjen e aleatëve”, deklaroi Kurti.

Kurti falënderoi veçmas katër emra.

“Dua të veçoj katër persona: Bill Klinton, Tony Blair, Madeline Albright dhe Wesley Clark. Për ta historia e Kosovës do të ruajë faqet më të ndritura për rolin e tyre në lirinë tonë”, tha Kurti.

Krejt në fund të fjalimit, ai e shfrytëzoi momentin të lavdërohet pak për qeverisje.

“Kosova është kampione në Ballkan për progres në demokraci e sundim të ligjit, për respektim të të drejtave të njeriut dhe luftë ndaj korrupsionit. Bruto produkti vendor do të jetë 5 herë më i madh se në vitin 2000, tri herë më i madh se në vitin 2008”, deklaroi Albin Kurti.

Në fund u lëshua edhe një klip i realizuar nga Presidenca, ku duket se nuk pati vend për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në fund, pati edhe disa këngë e valle e aktivitete të tjera kulturore.

Gjatë gjithë ditës ka pasur me dhjetëra organizime për rastin e 25-vjetorit të çlirimit, ku kulmoi parada e ushtarëve e policëve të Kosovës.

Exit mobile version