Një lëvizje e re politike është në formim e sipër. Më saktë, një listë me disa emra politikanësh konservatorë, që nuk kalon mbi shifrën dhjetë, është duke u diskutuar tash e një kohë, me synim që të garohet në zgjedhjet e ardhshme. Kjo listë, siç ka kuptuar Nacionale, përbëhet nga disa prej deputetëve aktualë të LVV-së, ish-ministra, ish-deputetë e aktivistë të njohur politikë me ngjyrime konservatore.
Një fotografi mes Eman Rrahmanit, deputet i VV-së, dhe Ferid Aganit, kryetar i Partisë së Drejtësisë, ishte njëra nga simptomat e një fenomeni që po ndodh në prapavijë. Për çka është fjala?
Sipas informacioneve të Nacionales, Rrahmani dhe disa deputetë të tjerë të VV-së, të cilët kanë qenë kundërshtarë të disa nismave të Qeverisë Kurti, janë duke komunikuar me disa figura të tjera jashtë VV-së për të hartuar një listë me disa emra. Pra nuk do të jetë një parti e re, por një listë, e cila ka për target një numër të caktuar figurash, të cilat pretendohet se ngazëllejnë elektoratin konservator e me bindje myslimane.
Kjo listë, e cila nuk e kalon shifrën prej më shumë se dhjetë personash, gjithnjë sipas informacioneve, e përfshin edhe Aganin, por edhe disa prej deputetëve të VV-së, që kanë qenë kritikë herë pas here për tema të caktuara karshi Qeverisë Kurti II. Madje, për këtë nismë ka pasur disa takime e komunikime mes të përfshirëve në themelim.
Burimet në fjalë konfirmojnë që lista që planifikohet të hartohet përfundimisht javëve në vazhdim, është e hapur për negociata me VV-në dhe partitë e tjera parlamentare, si PDK-ja e LDK-ja. Megjithatë, lista në fjalë është ende e papërfunduar, ndërsa bisedimet mbi emrat që do të përfshihen janë në fazën përfundimtare.
Synimi i kësaj liste është që dhjetë politikanët e saj t’i përfshijë në listën garuese me ndonjërën nga partitë parlamentare. Për më shumë, sipas informacioneve, lista synon koalicion parazgjedhor së pari me VV-në, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që të ketë koalicion me PDK-në e LDK-në.
Sa i përket “kauzave politike”, lista përbashkon emra që kanë kundërshtuar projekt-kodit civil, i cili njeh bashkësitë civile të seksit të njëjtë, një nga temat më poralizuese në mes grupit konservator dhe Qeverisë Kurti. Grupi konservator i VV-së në Kuvend, nuk u pajtuar me Qeverinë Kurti edhe për pagën minimale, koeficientin e pagave e tema të tjera ekonomike.
Në fakt, Rrahmani e kishte përshkruar në mënyrë interesante takimin e tij me Aganin, një ish-ministër i Shëndetësisë, që kishte bashkëpunuar edhe me PDK-në në kohën e kryeministrit Hashim Thaçi.
“Diskutime të rëndësishme dhe domethënëse si çdo herë…” – shkroi ditë më parë Rrahmani, i cili nuk tregoi saktë se për çfarë u bisedua në këtë takim.
Në lidhje me këtë temë, Nacionale ka kontaktuar me Rrahmanin, i cili nuk ka dashur të komentojë këtë çështje, që pritet të jetë një lëvizje interesante politike. Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim në lidhje me këtë temë edhe nga ana e Aganit, por ish-ministri i Shëndetësisë nuk e ka hapur telefonin.
Nacionale ka shkruar vazhdimisht në lidhje me pakënaqësitë e këtij grupi me VV-në, e cila kulmoi vitin e kaluar pas përjashtimit të disa aktivistëve nga gara për kryetar degësh në garën e brendshme partiake. Në mesin e të përjashtuarve ishte edhe deputeti Visar Korenica, që u pengua të kandidonte për kryetarin e VV-së në Rahovec.