Site icon PrishtinaPress

Pritet të pasurohet nga biletat, Përparim Rama ia dhuron Robin Krasniqit 50 mijë euro të taksapaguesve

Me propozimin e kryetarit Përparim Rama, 50 mijë euro nga buxheti i Komunës së Prishtinës do të transferohen në llogaritë e fondacionit Robin Krasniqi.

Propozimi për ta subvencionuar me 50 mijë euro boksierin nga Juniku për meçin e tij të boksit në Prishtinë më 5 gusht, është miratuar sot në Asamblenë Komunale të Prishtinës.

Mjetet e dedikuara për Robin Krasniqin janë ndarë nga kategoria e subvencioneve të Komunës së Prishtinës.

Derisa është subvencionuar nga komuna, biletat për meçin e Robin Krasniqit në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë filluar të shiten nga një agjenci private e marketingut. Çmimi i tyre është shumë më i lartë sesa standardi jetësor i qytetarëve të Kosovës. Ato variojnë nga 20 deri në 90 euro.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh u lumtur me vendimin e marrë sot nga Kuvendi Komunal, teksa shtoi se ky organizim do ta vë Prishtinën në qendër të vëmendjes.

“Do të jetë eventi më i madh që është organiziuar në kryeqytet. Ky event do ta kthejë Prishtinën në qendër të vëmendjes”, ka thënë shkurtimisht kryetari Rama.

Krasniqi do të ndeshet më 5 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku përball do të ketë boksierin francez, Nadjib Mohammadi.

Kjo është hera e parë që Robin Krasniqi bokson në Prishtinë.

Robin Haxhi Krasniqi ka mbajtur tituj IBO dhe WBA përgjatë viteve 2020-2021, kurse në Evropë ishte kampion nga viti 2018 deri në 2019.

Exit mobile version