Zyrtarë të lartë në Ministrinë e Drejtësisë, në kushte anonimiteti, kanë thënë se tashmë kur ka përfunduar një raport i Inspektoratit në lidhje me rastin “Dehari” pritet të ketë edhe pezullime nga puna të disa zyrtarëve të lartë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Stafi menaxherial i Qendrës së Paraburgimit në Prizren pritet të pezullohet nga detyra pasi është hartuar një raport në lidhje me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Raporti, sipas burimeve të gazetës “Zëri” në Ministrinë e Drejtësisë, është hartuar nga ana e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka gjetur mangësi në lidhje me ofrimin e sigurisë së mjaftueshme që të mos ndodhte akti i vdekjes së aktivistit të subjektit më të madh politik opozitar në vend, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Derisa raporti ka arritur në duart e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, zyrtarë të lartë të kësaj Ministrie kanë thënë për gazetën “Zëri” se pezullimet nga puna pritet të ndodhin shumë shpejt edhe atë duke u bazuar në të gjeturat e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.