Site icon PrishtinaPress

Prishtinës do t’i shtohen dy mini-sheshe

Komuna e Prishtinës planifikon t’i shtojë dy mini-sheshe karshi shesheve kryesore. Rruga “2 Korriku”, e cila po shtrohet me kalldrëm, dhe ajo “Rexhep Luci” do të lidhen me sheshet kryesore të kryeqytetit.

E nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj thotë që “2 Korriku” dhe shumë të tjera do t’iu kthehen këmbësoreve, e që përveç që do të jenë të gjelbëruara do të kenë edhe mobilieri urbane që të duken më bukur.

“Jemi duke e implementuar një projekt të Komunës së Prishtinës, projket ky që vlenë për të gjitha rrugicat që lidhen me sheshin kryesor të kryesor të kryeqytetit. Po dëshirojmë t’i kthejmë këto rrugicat afër sheshit në parqe urbane siç po i quajmë ne, ku kryesisht do të ketë hapësirë më shumë për qytetarë dhe këmbësorë. Pra nuk do të lejojmë që të ketë makina në këto rrugica. Do të ketë komplet ndërrim të dizajnit do të shkojmë me shtruarjen e rrugës me kalldrëm dhe me gurë nëpër disa raste. Përveç gjelbërimit do të ketë edhe mobilieri urbane ku qytetarët e Prishtinës dhe vizitorët të kenë ku të ulen dhe ta shfrytëzojnë këtë hapësirë të mirë”.

Kurse finalizimin e punimeve komunarët po planifikojnë ta bëjnë deri në fund të muajit maj.

“Duke marrë parasysh intensitetin e punimeve që po zhvillohen në këtë pjesë, unë besoj që deri në fund të muajit Maj do ta kemi të gatshme këtë rrugë që me e shfrytëzua dhe me u kënaqë. Sepse do të rikthehen edhe tavolinat e kafeve”, ka thënë ai.

Sipas Zogajt, ideja e gjithë kësaj është që të stimulohen qytetarët që t’i përdorin linjat urbane dhe t’iu ikin veturave.

“Kjo është një sinjal dhe iu tregon vozitësve që të parkojnë veturat më larg qendrës dhe të përdorin sa më pak veturat në qendër të qytetit. E po ashtu edhe të përdorin më shumë linjat e autobusëve urban që tanimë kanë edhe çmim më të lirë”.

Shtrimin e udhës “2 Korriku” me kubëza po e pëlqejnë kryeqytetasit që thonë se përmes tyre do ta kujtojnë Prishtinën e vjetër.

“Është fati i Prishtinës që na ka ardhur një arkitekt si Përparim Rama. Sepse ky e din se çka i duhet Prishtinës saktë dhe unë mendoj që nuk ka njeri politikan që e din më mirë çka i duhet kryeqytetit, ky po prek në të gjitha pikat që të tjerët nuk kanë prekur”, ka thënë njëri nga qytetarët.

“Sot Prishtina është e gjithkujt sepse më herët ka qenë vetëm e qytetarëve. Nuk është më ajo bukuria e më hershme. Unë po mendoj që rikthimi i Prishtinës së Vjetër ekziston vetëm si mendim, mirëpo në realizim nuk mendoj që do të bëhet. Ky kryetar i ka vetëm këto premtime asgjë tjetër”, ka thënë Skender Krasniqi, qytetar.

Punimet për shtrimin me copëza të gurit të kësaj rrugice nisën më 3 prill dhe janë duke vazhduar ende.

Njëjtë do të veprohet edhe me rrugicën “Rexhep Luci”, mirëpo për këtë të fundit banorët janë të konfuzuar për parkingun e banesave të tyre.

“Nuk e di a është koha, unë jetoj këtu në këtë rrugicë dhe nësë bllokohet rrugica për veturat. Atheërë neve na shkon vetë mendja te ndihma e shpjetë sepse nuk po e di si do të vije. Unë nuk mundem me vendosë, mirëpo ka disa gjëra që po e krijojnë një farë konfiuzioni. Ajo sigurisht që do të duket më bukur, por dilemat ekzistojnë. Komuna e Prishtinës ka biseduar me përfaqësuesit e lagjes”, ka thënë qytetarja Melihate Juniku.

E nënkryetari Zogaj e ka një përgjigje edhe për ta.

“Kemi biseduar tash e sa herë me përfaqësuesit e lagjes dhe ata janë shumë të kënaqur me idenë që në atë pjesë do të punohet dhe do të ketë projekt të tillë që do të sjell gjelbërim. Ka një numër të qytetarëve që e kanë brengë parkimin sepse kur rruga të shtrohet aty do të humbim diku rreth 10 parkime te veturave. Por ne kemi menduar që parkimi të ndodhë në anën e pasme të ndërtesave sepse do të ketë mjaftë hapësirë. Brenga tjetër ka qenë edhe qasja e zjarrfikësve dhe ambulancës dhe këtë e kemi menduar pasi që mobilieria urbane do të jetë e lëvizshme, do të ketë mundësi që mjetet e emergjencës të futen deri në thellësi të rrugës”, ka thënë Zogaj.

E eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, thotë se komunikacioni nuk mund të shihet në fund te listës së prioriteve te Komunës pasi transporti publik është i mangët.

“Nuk ndodhë kjo kështu ne mundemi ta zëvendësojmë me transport publik, komunikacionin por nuk mundemi ta lëmë në plan të tretë apo të katërt,. Të gjithë qytetarët vijnë në punë me veturë. Sepse tek ne transporti publik thuajse është minorë dhe është shumë i vogël dhe kësisoj ne i përdorim veturat për të kryer nevojat e tona më shpejtë”, ka thënë Ahmeti.

 

Exit mobile version