0.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Prishtina ‘zhytet’ nën bërllok- Situata me menaxhimin e mbeturinave alarmante

Situata me menaxhimin e mbeturinave në komunën e Prishtinës vazhdon të jetë alarmante. Për këtë banorët fajësojnë Komunën për mosmenaxhim të duhur.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës thotë se për herë të parë ka ndarë lokacion për të ndërtuar qendrën për grumbullim dhe trajtim të mbeturinave, si dhe blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve të rinj.

Banorët në Komunën e Prishtinës vazhdojnë të përballën me keqmenaxhim të mbeturinave, pasi shumë lagje ku jetojnë, por edhe rrugët në kryeqytet janë të stërmbushura me mbeturina.

Në të shumtën e rasteve kontejnerët nuk kanë hapësira për të hedhur mbeturinat. E për këtë situatë disa nga qytetarët fajësojnë Komunën për keqmenaxhim, por edhe vetë qytetarët për mungesë të vetëdijesimit për hedhjen e mbeturinave.

“Gjendjen aktuale për sa i përket menaxhimit të mbeturinave e vlerësoj jashtëzakonisht dobët, shumë keq. Duhet të fillojnë edhe me pjesën e riciklimit. Jetoj në rrugën ‘Agim Ramadani’ dhe gjendja është tmerr. Po ashtu në qendër të qytetit gjendja është e njëjtë, nuk ke si kalon nga era e mbeturinave. Diçka nuk është në rregull. Faji është edhe të qytetarët e jo vetëm të kompania. E kemi kontejnerin afër dhe qytetarët nuk i hedhin mbeturinat në të, por anash tij. Edhe kompania është fajtore, se nuk vjen t’i largojë me kohë mbeturinat, por i lënë të stërmbushen kontejnerët. Shumë keq, në mes të qendrës së qytetit kundërmon era”, thotë një qytetar.

Për krijimin e kësaj gjendjeje janë shumë faktorë thonë nga kompania “Pastrimi”.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnora Ademi, i tha Radio Kosovës së fluksi i madh i qytetarëve dhe hedhja e mbeturinave ilegalisht nga kompanitë private janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes.

“Numri i madh i konsumatorëve dhe fluksi i madh në kryeqytet e krijojnë atë gjendje. Por, faktori kryesor është hedhja e mbeturinave në mënyre ilegale nga kompanitë private dhe mos respektimi i orarit nga konsumatorët. Edhe përkundër këtyre ne mund të themi se e kemi gjendjen nën kontroll”, thekson Ademi.

E, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur se për herë të parë komuna ka ndarë lokacionin për të ndërtuar qendrën për grumbullim dhe trajtim të mbeturinave, blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve të rinj.

“Komuna e Prishtinës ka ndarë lokacionin për të ndërtuar për herë të parë qendrën për grumbullim dhe trajtim të mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore. Ka ndarë buxhetin 1.5 milion euro për blerjen e kamionëve të ri dhe 400 mijë euro për blerjen e kontejnerëve të ri. Po ashtu është aprovuar rregullorja e re për menaxhimin e mbeturinave. Si blerja e kamionëve ashtu edhe blerja e kontejnerëve të ri janë në procedurë. Pas investimeve që i përmendëm, rregulloren e re dhe disa investime të tjera direkte nga ndërmarrja “Pastrimi”, gjendja në vitin 2024 do të jetë dukshëm më e mirë dhe stabile”, shprehet ndër të tjera Ilirik Musliu.

Ndërkohë, muaj me parë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut ka ngritur shqetësim për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë. KMDLNJ e ka rekomanduar drejtorinë përkatëse në Komunën e Prishtinës që në të gjitha pikat ku janë të vendosur kontejnerët të mbulohen me kamera, në mënyrë që abuzuesit me mbeturina të dënohen për shkeljet eventuale që i bëjnë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img